Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo gjatë bashkëbisedimit me qytetarët e këtij qarku theksoi se aeroporti i Lumalasit paraqet potencial mjaft të lartë për të filluar fluturimet turistike. “Kemi vendosur një bashkëpunim mjaft të mirë me Federatën e Aeronautikës të Shqipërisë dhe kemi organizuar disa aktivitete. Parashikohet që në muajin maj dhe në rast se do të marrim masat e duhura, në bashkëpunim dhe me Ministrinë e Mbrojtjes, do të kemi mundësinë që të sjellim fluturimet e para të karakterit sportiv dhe turistik”, theksoi Filo.
Për të tërhequr sa më shumë turistë dhe të shtojë të ardhurat nga turizmi dimëror, kreu i bashkisë së Korçës theksoi se është hedhur ideja për ndërtimin e një piste më të madhe skish. “Turizmi është një sektor prioritar. Ne kemi një pistë në Dardhë dhe ideja është që të ndërtojmë një pistë me kapacitet të madh, që të ketë mundësi që të akomodojë turizmin dimëror jo vetëm të Korçës, por të gjithë Shqipërisë. Kemi një studim fizibiliteti dhe besoj se me mbështetjen e qeverisë, do ta realizojmë këtë projekt”, theksoi Filo.