Nga Alfred Peza
Në një periudhë ditësh të nxehta si këto që po kalojmë, për sa kohë ishte Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla i largohej Tiranës dhe Shqipërisë, për të kaluar pushimet verore me familjen. Fotot e publikuara pak muaj më parë në media, e tregojnë herë në jahte superlukzsoze disa milionë euroshe, herë në motorra uji e skafe, herë pranë helikopterave e makinave që arrinin vlerat e çerek milioni dollarëve, e herë herë nëpër hotele me pesë yje dhe resorte në ambjente ekskluzive, të rezervuara vetëm për sheikë, oligargë apo kapo familjesh mafioze.
Për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, pak ditë më parë u ribë zhurmë e madhe në media se janë zbuluar foto të reja që tregojnë për një udhëtim të mundshëm të tij me jaht, nga Mali I Zi në Itali. Ndërkohë që për fotot e ish Kryeprokurorit Adriatik Llalla që janë bërë publike prej kohësh, ndërsa ai shëtit me jahte me flamuj të huaj, ende nuk kemi dëgjuar që të hetohet.
Me siguri që nëse mësohet ndonjëherë se kush dhe pse ia vinin në dispozicion familjes së tij, simbolin e pushimeve verore superluksoze në mes të detrave, me siguri që do kuptohet se ajo që është thënë deri tani për Adriatik Llallën, është thjeshtë dhe vetëm maja e një ajzbergu që prêt të eksplorohet, ndërsa ende vazhdon të notojë e zhytyr në ujëra të thellë e të errët.
Për familjen e ish Kryeprokurorit, si sot e pesë vite të shkuara me radhë, ishte kulmi i pushimeve të shfrenuara e të tejzgjatura. Ndërsa këtë fillim gushti, ai është rikthyer si kurrë më parë, në Shqipëri. Orët e fundit, në mediat e Tiranës, janë botuar e transmetuar, dy lajme të natyrave të ndryshme për Adriatik Llallën.
E para, ish Kryeprokurori që dikur mbyllte dhe nxirrte jashtë me badigardë gjithë klientët e restoranteve ku drekonte apo darkonte me miqtë e tij ekskluzivë, është fotografuar pas ekzilit të përkohshëm, nëpër ambjente popullore të famshme në Tiranë, për pilafin dhe paçen me uthull e hurdha. E pak më vonë, ai është fotografuar sërisht nga mediat, duke krasitur bimët dhe lulet kacavjerrëse të oborrit të shtëpisë së tij private, të harlisura nga harresa e një njeriu që prej disa muajsh dukej si një pulë që hallakatej sa andej këndej nëpër botë, duke mos gjetur dot furrik për të lëshuar vezën…
E dyta, websit-e global i lajmeve “Buisness Insider” dhe portali “Ballkan Post”, i kanë kushtuar nga një artikull lajmit për sekuestrimin e pasurisë të ish- Kryeprokurorit. “Autoritetet shqiptare kanë sekuestruar asetet e ish-kryeprokurorit që po hetohet për korrupsion dhe pastrim parash. Adriatik Llalla, që më parë ka qenë një nga njerëzit më të fortë të Shqipërisë, u akuzua në prill për refuzim të deklarimi të pasurisë, pastrim parash e krime financiare,- thuhet në këto artikuj ku konkuldohet,- se “me goditjen e Adriatik Llallës, negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian, do të hapen.”
“Departmaneti Amerikan i Shtetit njoftoi në atë kohë se ish- Sekretari i Shtetit Rex Tillerson e kishte përshkruar 49 vjeçarin Adriatik Llalla, dhe familjen e tij si të korruptuar dhe i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Llalla ka qenë kryeprokuror nga 2012 deri në 2017 dhe vitin e kaluar ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, e akuzoi atë si “armik të reformës në drejtësi”, që është programi madhor i Shqipërisë për spastrimin e sistemit famëkeq e të korruptuar të drejtësisë”, thuhej në shkrimin e “Balkan Post”.
Siç shihet edhe nga këto artikuj si dhe nga vendimet e Prokurorisë dhe Gjykatës për Krime të Rënda, e ardhmja e Adriatik Llallës është e parashkruar tashmë. Ajo që të bën çudi në gjithë këtë histori, është “loja e strucit” që ai luajti nga shkarkimi i tij prej Parlamentit në 18 dhjetorin e 2017, e deri në vendimin e fundit të gjykatës. Një rast i pashembullt ky, që e shndërroi përpjekjen e medias për të gjetur vendodhjen e tij, në një lojë kunkulleshkash. E ku vendodhja thuhej se njëherë ishte në Gjermani, më pas në Turqi, Belgjikë, Itali, Greqi e deri në shtetet e Amerikës Latine.
Rikthimi i Adriatik Llallës në Tiranë, nuk është “rikthimi i djalit plangprishës”. Më shumë sesa kjo, këtij akti i shkon për diçiturë, titulli i një filmi të vjetër: “Fajtori rikthehet gjithmonë në vendin e krimit!” E thënë ndryshe, rikthimi i ish Kryeprokurorit në Tiranë për të ngrënë paçe e pilaf, atëherë kur si rregull i viteve të shkuara au duhej të ishte duke kaluar pushimet me jahte superluksoze, është thjeshtë metamorfoza e të gjithë atyre që sipas filozofisë së krishteterë, u nisën nga hiçi, për tu rikthyer në hiç.