Papërgjegjshmëria dhe përfitimi i zyrtarëve nuk ka të sosur, zëvendës Kryetari i Bashkisë Kavajë dhe Përgjegjësja e Sektorit të Shërbimeve Sociale kanë regjistruar familjarët e tyre në skemat mbështetëse ekonomike.
Të dy zyrtarët tashmë janë shkarkuar ndërsa rasti është konstatuar nga Shoqata për Kulturën Demokratike në raportin mbi përdorimin e burimeve administrative në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.
Bashkia e Elbasanit, Kavajës, Kuksit dhe Kuçovës kanë qënë nën vëzhgim nga muaji janar deri më 25 Maj.
Gerta Meta:“Tjetër rast po në bashkinë e Kavajës, është kallzimi që IKMT ka bërë për kryetarin e bashkisë së Kavajës dhe disa nga vartësit e tij ku në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kanë shpërdoruar detyrën duke lejuar ndërtimin e objekteve në territorin që ata administrojnë. Janë raportuar disa raste të detyrimit të punonjësve të administratës publike në bashkinë e Kavajës, Kukësit, Elbasanit për të marrë pjesë në aktivitetet partiake dhe elektorale. Një aspekt tjetër është përdorimi i inaugurimeve të punës së rëndësishme publike nga zyrtarë publikë dhe anëtarë të qeverisë. Raste të tilla janë në rrethin e Elbasanit, Kavajës dhe bashkisë së Kukësit”.
Shoqata për Kulturën Demokratike apelon marrjen e masave për të evituar presionet mbi punonjësit e adminsitratës publike.
Gerta Meta:“Kryetarët aktualë të bashkive të Kavajës dhe Kukësit gjatë periudhës së fushatës zyrtare të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit duhet të mos shpërdorojnë detyrën ose të abuzojnë me fondet e tyre publike”.
Për shkak të mungesës së fondeve, vëzhgimi është shtrirë vetëm në 4 bashki, ndërsa pas zgjedhjeve pritet të publikohet raporti përfundimtar.