Më kërkesë të prokurores Arta Marku, Gjykata e Apelit në Tiranë zbuti masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, drejtorin juridik Fatmir Hoxha dhe përmbaruesin Alban Ruli.
“Këto akte të prodhuara nga administrata nuk sjellin pasoja, u ndryshua masa e sigurimit me kërkesën e palës mbrojtjes. Jemi të bindur në pafajësinë e të mbrojturit prej nesh”, u shpreh avokati Sokol Hazizi. Ndërkohë, Ilir Thana u la në burg.
Zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe përmbaruesi u arrestuan pak javë më parë pasi akuzohen se firmosën dokumente për t’i kaluar 1.2 milionë euro kompensim një qytetari me emrin Ilir Thana, të cilin e trajtuan si ish-pronar, pa qenë i tillë. Ilir Thana mori përmes bankës vetëm 400 mijë euro dhe pjesa tjetër e parave do t’i kalonte në muajt në vijim.
Gjithçka u bë për një magazinë që shteti ia shiti Thanës në 1992-shin, por Komisioni i Kthimit të Pronave ia mori 3 vite më vonë për t’ia kaluar pronarëve të vërtetë, duke dëmshpërblyer me këste Ilir Thanën me vlerën e pronës sipas çmimit të tregut. Në 2021-shin, edhe pse ishte dëmshpërblyer 1 herë, Ilir Thana kërkoi duke përdorur përmbaruesit arriti në vlerësimin e pronës që nuk ishte më e tija, deri në vlerën 1.2 milionë euro.
Gjithçka lidhej me një kontratë blerje të firmosur mes Ilir Thanës, i arrestuar në dhjetor 2022, dhe Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar për privatizimin e një objekti magazinë nr.2 në vitin 1992. Pas vendimit të gjykatës së Apelit të Tiranës, kontrata u shpall e pavlefshme dhe palët u kthyen në pozicionin e mëparshëm. Ndaj Ilir Thanos u kthye shuma prej 103.046 lekësh me të cilën ky shtetas kishte blerë objektin e magazinës.
Ministria e Financave transferoi në llogarinë e Ilir Thanës shumën prej 284.139, sa vlera e objekteve të blera e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT. Më tej, Ilir Thana i është drejtuar Zyrës Përmbarimore e cila në kundërshtim flagrant me ligjin ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920 , duke u hequr dhe trajtuar si ish pronar Ilir Thanën në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status.
E gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë Ilir Thanës është në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro. Ministria e Financave ka kaluar në favor të Ilir Thanës shumën prej 48.118.366 lekësh. Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të një gruaje me inicialet Sh.P.