Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç publikoi detaje të reja nga projekti për ndërtimin e urës së Bunës.
Kjo e fundit pritet të lidhë Ulqinin me Velipojën.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri malazez përmes një postimi në median sociale “Facebook”.
Gjatësia totale e urës, shkruan Abazoviç, do të jetë 310 metra dhe diapazoni midis dy shtyllave mbështetëse do të jetë 139 metra.
Ura pritet të jetë 17 metër e gjerë, do të ketë dy korsi trafiku nga 3.75 metra secila, dy trotuare nga 2 metra secila dhe dy korsi biçikletash nga 1.25 metra secila.
Kjo urë do të lidhë 34 kilometër plazhe me rërë, të cilat vizitohen nga rreth 530 mijë turistë çdo vit, shkruan më tej kreu i qeverisë malazeze.
Sipas tij, distanca aktuale mes Ulqinit dhe Velipojës është 73 kilometra, ndërsa me ndërtimin e urës do të reduktohet në vetëm 1 kilometër.
Data e planifikuar e përfundimit të punimeve është muaji gusht i vitit 2024.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me homologun e tij malazez ishin pjesëmarrës në prezantimin e projektit të urës së re Velipojë – Ulqin 10 ditë më parë.
Për Ramën, kjo urë do të jetë një simbol i bukur e domethënës i vizionit për t’u afruar gjithnjë e më shumë nën frymën e bashkëpunimit, integrimit dhe zhvillimit rajonal.
Projekti u prezantua nga Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.
Ai u shpreh se ura do të ketë segmentin lëvizës në mes, në mënyrë që të hapet për kalimin e anijeve të mëdha.
Dakordësimi fillestar për këtë projekt u bë në korrik të vitit të kaluar, ku dy qeveritë përcaktuan mjetet dhe buxhetet.