Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi ka ironizuar kreun e PD, Lulzim Basha se sa herë premton të ardhmen, e ardhmja spostohet me katër vjet, teksa iu referohet zgjedhjeve të humbura radhazi.
Në një postim në Facebook, Bylykbashi shkruan se Basha ka humbur, ka rizgjedhur veten në parti dhe ka rifilluar të premtojë të ardhmen.
Postimi i plotë:
Kometa Halley e opozitës
Kur ne 47-vjeçarët e sotëm ishim 12 vjeç në vitin 1986, në sistemin tonë diellor kaloi kometa Halley. Mësuam se është kometa më e afërt dhe që i afrohet Tokës periodikisht çdo 76 vjet. Shumëkush nga ne do ta shohë me kismet pas 41 vitesh, në të Ardhmen.
Këto ditë kam dëgjuar se Ai ka zgjedhur të ardhmen. E lakon të Ardhmen në të gjitha rasat. Madje Ai e thotë me rrokje të ndara mirë, me zanore kumbuese. A a a a , o o o o, u u u u të ububushme. Këtë di ta bëjë shumë mirë. Por kaq, sepse inflacioni bën punën e vet, gërryen vlerën dhe besimin e dollarit, jo më të fjalëve që të fortë kanë vetë zanoret e zëshme.
Po sa herë e kemi dëgjuar t’ua premtojë të ardhmen opozitarëve dhe shqiptarëve? Sa herë ka patur zgjedhje. Katër herë rresht. Ka humbur, ka rizgjedhur veten në parti dhe ka rifilluar të premtojë të ardhmen.
Sa herë premton të ardhmen në fushatë, e ardhmja spostohet me katër vjet sërish e sërish. E menjëherë pas rizgjedhjes pas humbjes, premton sërish e sërish si misionar i të ardhmes.
E premtoi sërish të ardhmen. Edhe kësaj here. Për të pestën herë. E ardhmja u spostua përsëri në 2025.
Por opozitarët dhe shqiptarët jetojnë në të tashmen. Është një e tashme e hidhur katërvjeçare pa punë, pa shpresë, të vjedhur, me frikën nga krimi që mbjell viktima rrugëve, të lënë në rrugë të mashtruar në shpresën e tyre për ndryshim. Një e tashme që mbaron në 2025. Ama premtimin e rinovuar për të ardhmen e morën nga Ai si kartolinë për Vitin e Ardhshëm 2025.
E premtoi të Ardhmen plot bubullimë, sikur do të bjerë një meteor. Pa iu dridhur qerpiku e pa u skuqur, e premtoi njësoj siç premtoi rifillimin ciklik të luftës ku do të fitojë pasi të humbë.
Por nuk ka më njeri që nuk është i bindur se Ai nuk është veçse një kometë që vjen vërdallë në politikë dhe mund ta shohësh të lëshojë bishtin e shndritshëm një herë në katër vjet kur kërkon të rizgjidhet pas humbjes së radhës e më pas të zhytet në terrin e të tashmes së hidhur të pashpresës, e që mrekullon vetëm ata që e shohin për herë të parë.
Hallet e të tashmes së shqiptarëve janë sfida që duhet të merremi sot, tani, dhe jo premtimet për një të ardhme të shendritshme si bishti i Halley.