Një nga kontrollorët e trafikut ajror, Eni Mehja, në një lidhje direkte me studion e A2 Business, deklaroi se ai dhe kolegët e tij nuk e kanë cenuar sigurinë kombëtare. Sipas tij, ata do ta cenonin nëse do të kishin punuar në gjendje stresi.
“Kjo situatë është krijuar prej një viti. Ne si kontrollorë jemi punonjës të devotshëm dhe të mirëtrajnuar për të kryer detyrën tonë.
Çdo gjë që është thënë sot është thënë në mënyrë abuzive. Ne kemi detyrë për të ofruar siguri për linjat ajrore.
Ne do ta kishim cenuar sigurinë nëse gjatë gjithë kësaj kohe që kemi qenë të stresuar, do të futeshim në ambientet e punës dhe do të kishim punuar.
Unë kam dhënë paaftësinë e përkohshme, që e kemi në procedurën standard. Nëse një kontrollor e ndjen veten të stresuar e të lodhur, ka të drejtë të shpallë paaftësinë e përkohshme.
Ai duhet të paraqitet në vendin e punës, por të mos punojë në frekuencë”, deklaroi Mehja.