Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duket se nuk do t’ia hedhin paq. Përveç përjashtimit nga sistemi i drejtësisë për 15 vjet, ata rrezikojnë edhe të përballen me drejtësinë e re. Pjesa më e madhe e tyre janë larguar nga sistemi i drejtësisë për shkak të problemeve me pasurinë. Shumë prej tyre kanë kryer fshehje pasurie dhe deklarime të rreme, të cilat përbëjnë edhe vepra penale e që dënohen me burg.
Por deri tani të shkarkuarit nga vetingu kanë shpëtuar nga hetimet penale. Mirëpo duket se kjo situatë do të marrë fund shumë shpejt. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i paralajmëroi dje të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që janë shkarkuar për shkak të veprave penale se së shpejti do të japin llogari para drejtësisë. Gjatë një prononcimi mediatik, KPK u shpreh se do të vihet në lëvizje pasi për të shkarkuarit të jetë kaluar edhe shkalla e dytë e vetingut në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit me qëllim që për ta të ketë një vendim përfundimtar.
“Pasi të shprehet me vendim për subjektet që është bërë ankimim, Komisioni, në bazë të ligjeve në fuqi, do të referojë në organet kompetente të gjitha rastet ku ka evidentuar elementë të veprës penale”, thuhet në përgjigjen e KPK. Por së shpejti pritet të ngrihet Struktura e Posaçme Antikorrupsion, çka do të thotë se gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu mund të vihen nën hetim nga organet e reja, të cilët nuk do të tolerojnë asnjë shkelje.
I vetmi për të cilin është hapur një hetim është ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Pak kohë më parë ai u mor në pyetje nga Prokuroria e Tiranës për shkak të falsifikimit të formularit të dekriminalizimit, ndërsa çështja e tij është dërguar për gjykim. Por për të shkarkuarit e tjerë nuk ka patur asnjë lëvizje nga organi i akuzës.
Megjithatë, burime nga Ministria e Drejtësisë i thanë gazetës pak kohë më parë se diçka e tillë do të ndryshojë sapo të jenë gati SPAK dhe BKH. Vendimi i KPK për t’i shkarkuar nga detyra të gjithë ata me probleme me pasurinë është vetëm faza e parë. Sipas informacioneve, për ta do të ketë edhe një fazë të dytë dhe do të jetë pikërisht nisja e hetimeve për ta.
Dënimet për të shkarkuarit
Nga një verifikim i bërë nga gazeta tek të gjitha vendimet e shkarkimit të dhëna nga KPK, rezulton se pjesa më e madhe e emrave janë shkarkuar për shkak të problemeve me pasuritë. Ata kanë kryer deklarim të rremë, fshehje pasurie, falsifikim të formularit, falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim me kreditë.
KPK ka zbuluar se shumë emra kanë dorëzuar dokumente false në banka për të përfituar kredi, ndërkohë që po ashtu ka pasur në disa raste dhe dokumente false që janë paraqitur pranë komisionit. Mes emrave ka dhe të tjerë që kanë kryer evazion fiskal. Sipas parashikimeve në Kodin Penal, mosdeklarimi i pasurisë apo deklarimi i rremë dënohet deri në 3 vite burg. Falsifikimi i formularit dënohet deri në 4 vite burg, ndërsa falsifikimi i dokumentit dënohet deri në 3 vite burg.
Edhe mashtrimi me kredi është vepër penale, e cila dënohet deri në 7 vite burg. Të gjithë gjyqtarët e prokurorët e shkarkuar që i kanë kryer të gjitha këto vepra penale rrezikojnë deri në 17 vite burgim sapo të nisin hetimet nga prokuroria. Por përveç dënimit me burg, ata rrezikojnë po ashtu që t’iu sekuestrohen pasuritë, duke hyrë në lojë këtu ligji antimafia. Nga emrat që ngelën në veting, vetëm një pjesë e vogël e tyrja ikën për shkak të lidhjeve me botën e krimit, ndërsa pjesa tjetër u shkarkua për shkak të problemeve me pasurinë dhe falsifikimit të formularit të dekriminalizimit. /Mimoza Ibra