Grindjet për çështjen e azilit janë transferuar në Europë. Në Berlin është në pikëpyetje vëllazëria e dy partive konservatore. Thikat janë mprehur, frontet janë të qarta, rezultati i paqartë.
Një citat e tregon shumë mirë sa themelore është kriza aktuale qeveritare midis dy partive konservatore në Gjermani, partisë kristiandemokrate CDU dhe kristiansociale CSU. Në të vërtetë puna nuk është tek tema e sigurimit të kufijve, por tek ndryshimi i pozicionit të të dy partive të unionit “shumë djathtas dhe kundër Evropës”. Këtë tha Daniel Günther, kryeministër i CDU-së në një land në veri të Gjermanisë, gjatë një interviste dhënë në radio.
Për cilën Evropë po flet Günther në fakt? Nuk është më Evropa e mbylljes së mijëvjeçarit, e karakterizuar nga partitë konservatore dhe socialdemokrate. Në vend të tyre në Evropën qendrore, veriore, në Austri dhe në Itali në tavolinën e qeverisë janë ulur edhe populistët e djathtë, ose ata janë madje duke krijuar qeverinë. Një zgjidhje evropiane në çështjen e refugjatëve, pavarësisht si do të jetë ajo, do të duhet të ketë parasysh raportet e reja të forcave.
Marrëveshjet në nivel evropian janë në kulmin e bisedimeve. Kryeministri austriak ka rënë dakord ditën e enjte me përfaqësuesit e linjës së ashpër në politikën e migracionit të Evropës Lindore dhe Qendrore, duke marrë një mandat të fortë për bisedimet dhe një qëndrim të qartë, për kufij të mbyllur. Italianët marrin tashmë pjesë në bisedime, por bllokojnë marrjen paraprake të vendimeve. Ditën e dielë zhvillohet një takim jozyrtar i BE në Bruksel, ku do të nxirret një përfundim paraprak për takimin që pritet të zhvillohet një javë më vonë. Vetëm gjendja në BE është shumë e paqartë. Kësaj i shtohen edhe grindjet brenda Unionit.
Po shkon Gjermania më djathtas?
Por kancelarja gjermane Angela Merkel mund të ketë të papritura: Në ndalimin e përdorimit të mëtejshëm të energjisë atomike, në heqjen e detyrimit ushtarak apo tek shpëtimi i Greqisë ajo është mësuar me stuhitë dhe i është përshtatur kthesave 180 gradë. Kjo ka bërë që në partinë e saj CDU, të ketë një shpërbërje të bërthamës. Me kthesa të tilla Merkel e zhvendosi majtas CDU-në në politikën për refugjatët, duke lënë kështu vend bosh në spektrin e djathtë. Ky vend u mor nga “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) .
Partia kristiansociale CSU, e ministrit të Brendshëm Horst Seehofer, kundërshtarit kryesor të Merkelit nuk do që ta pranojë këtë. Nga e djathta e Unionit nuk duhet të ketë parti tjetër demokratike. Kjo thuhet në analet e historisë së partisë qeveritare bavareze. CSU ka në parlament së bashku me CDU-në e Merkelitvari. një fraksion të përbashkët, një veçanti kjo e sistemit partiak gjerman. Kjo e ndalon CDU të përfaqësohet në Bavari. CSU nga ana e saj përfaqësohet vetëm në Baravi, dhe atje jo në gjithë landin.
Merkel ka ende opcione
Në Berlin bëhen shumë spekulime aktualisht. Sa seriozisht e kanë CDU dhe CSU me ndarjen me të cilën kanë kërcënuar? Nga CDU u dëgjua kërkesa që duhen filluar përgatitjet për shtrirje të mëtejshme në Bavari. Në të vërtetë baza e Merkelit në grupet rajonale të CDU është e madhe. Shumë mendojnë se rruga e saj është e drejtë. Për shumë vetë CSU nuk është partneri i duhur, sepse e kërkon rrugën e saj duke kopjuar nga AfD.
Nëse fraksioni i përbashkët shpërbëhet, atëherë Merkel do të kishte pushtet më të madh për të shpëtuar postin e saj të kancelares. Të Gjelbërit kanë sinjalizuar se janë të gatshëm për të marrë punë në qeverisje. Një aleancë me Të gjelbërit ka qenë në zgjedhjet e fundit parlamentare në shtator, opsioni i preferuar i Merkelit. Edhe socialdemokratët nuk do të ishin kundër një koalicioni me Të gjelbërit./DW