Ndërsa të gjithë prisnin që pas inaugurimit të tij, burgu i Reçit të hapte dyert për të dënuarit e parë, situata atje sa vjen dhe bëhet më e çuditshme. Vendimi i fundit i ministrisë së drejtësisë dhe drejtorisë së përgjithshme të burgjeve është që ky institucion të paktën deri në janarin e 2019-es, të mos vihet gati në dispozicion të të dënuarve, por të vijojë të funksionojë vetëm për strukturën e rekrutuar atje, që ende ka nevojë për kualifikime.
Kjo për ministrinë nuk ka qënë aspak një lajm pozitiv dhe burimet saktësojnë se për shkak të këtyre ngërçeve, por edhe çeshtjeve të tjera që nuk lidhen me administrimin e brendshëm të kësaj ministrie, është shtyre hapja e këtij institucioni të vuajtjes së dënimit. Sot shqipëria ka 3214 të dënuar në 18 burgjet e vendit, nga të cilët 172 përjetë.
Në bazë të kësaj shifre dhe të proçedurave të tjera që ndjek ky institucion do të bëhet edhe ndarja e tyre, ku në Reç të Malësisë së Madhe, duke qënë një burg i sigurisë së lartë do të sillen të dënuar me denime të rënda. Por pikëpyetja e madhe është nëse ministria po pret dënimet e “drejtësisë së re”, apo financuesit Europian që kanë kriteret e veta për të çliruar burgjet në shtetet e tyre, me të dënuar shqiptar. Duket se enigma do të vijojë edhe për disa kohë, ndërsa burgu i Recit vijon të paguajë mbi 400 punonjës të administratës, energji elektrike e amortizime të tjera, por pa të dënuar brenda!