Nga Sławomir Sierakowski, Project Syndicate
Përgjatë qëndrimit të saj të gjatë në pushtet, ish-kancelarja gjermane ndërmori një sërë vendimesh thelbësore, të cilat në fund e bënë Europën më pak të sigurt si ndaj kërcënimeve të jashtme, ashtu edhe ndaj atyre të brendshme. Por, sipas memuarit të saj që pritet të dalë në treg dhe turit promovues të librit, të gjithë fajin e kanë të tjerët.
Kur u largua nga drejtimi i Gjermanisë në dhjetor 2021, pas 16 vitesh në pushtet, Angela Merkel mund të shihej si një nga figurat më të rëndësishme politike të shekullit XXI. Por, pas tri vitesh heshtje të plotë dhe me trashëgiminë e saj politike në zbehje, ajo ka nisur promovimin e memuarit të saj. Heshtja, megjithatë, ishte më bindëse.
Ajo dha intervistën e saj të parë për të përjavshmen gjermane ‘Der Spiegel,’ ku mbrojti politikat e rëndësishme që ndikuan në shndërrimin e Gjermanisë dhe Europës në atë çka janë sot. Mes tyre, ishin zbutja e Rusisë, që konsistonte në aplikimin e parimit të Luftës së Ftohtë që synonte “ndryshimin përmes tregtisë”; strehimi i mbi një milionë refugjatëve (kryesisht nga Siria dhe Lindja e Mesme) në 2015-ën; dhe mbyllja graduale e impianteve bërthamore në Gjermani.
Çështja e katërt lidhet jo me ndonjë politikë specifike, por me mungesën e një të tille. Falë dështimit të Merkelit për ta përshtatur ekonominë gjermane me sifdat e këtij shekulli, vendi mbetet i prapambetur sa i përket digjitalizimit, me akses të dobët në internet, burokraci absurde, institicuone qeverisëse që ende përdorin faksin si mjet komunikimi, dhe kompani dikur dominuese, por tashmë të pamundura të konkurrojnë me të ngjashmet e tyre në Amerikë dhe Azi. Autostradat dhe urat gjermane janë në degradim e sipër, trenat vijnë rregullisht me vonesë, ndërsa projektet madhore të infrastrukturës (si stacioni hekurudhor apo aeroporti i Berlinit) marrin dy ose tri herë më shumë kohë për t’u ndërtuar krahasuar me kohën që do të merrnin në Poloni apo edhe në Rumani.
Nëse dikur gjermanët talleshin me polakët se ishin të trashë dhe të paaftë, tanimë situata ka ndryshuar. Vizitoni Gjermaninë sot dhe do të zbuloni se me shumë gjasë nuk mund ta përdorni kartën e kreditit për të paguar mëngjesin në restorant. Do t’iu duhet të gjeni një bankomat, por me shumë mundësi do të jetë i prishur ose nuk pranon kartë Visa apo Mastercard (gjë që ndodh në dy të tretat e rasteve). Dhe, as mos prisni që të lidheni me Wifi. Mund të gjeni akses më të mirë (dhe sektor më dinamik të teknologjisë së informacionit) në Bjellorusi, një shtet vasal i Rusisë.
Për më tepër, gjatë 16 viteve të saj në pushtet, Angela Merkel nuk bëri asgjë për të stimuluar industritë me të cilat Gjermania krenohet, siç janë industria kimike, farmaceutike dhe ajo e motorrëve me djegie të brendshme, në mënyrë që këto të përshtateshin me shekullin e XXI-të. Ndërkaq, ushtria gjermane është rregullisht objekt talljeje në shtypin Europian.
Nëse gjermanët parapëlqejnë të përdorin faksin dhe jo internetin, kjo është puna e tyre. Por, fatkeqësisht, vendimet e qeverisë së tyre prekin të gjithë Europën. Argumenti moral i Merkelit në lidhje me strehimin e refugjatëve në 2015 është i pakontestueshëm. Por, sigurisht, ajo duhet ta kishte ditur se pranimi i emigrantëve në një shkallë aqmasive, do të prodhonte një kundërpërgjigje populiste jo vetëm në Gjermani, por në gjithë Europën. Merkeli dhuroi spektaklin e njeriut që mbron vlerat liberale demokratike, por politikat e saj çuan në një sulm të egër ndaj këtyre vlerave. Rezultati që ato prodhuan, ishte një demokraci liberale më e dobët dhe më pak emigracion.
Po ashtu, duke këmbëngulur me kokëfortësi për projektet e gazsjellësit Nord Stream dhe Nord Stream II, Merkel dhe të tjerë udhëheqës gjermanë fuqizuan një dictator, i cili ushqente brenda vetes vizione revizioniste për Europën lindore. Dhe, duke mos lejuar që NATO t’iu ofronte një “plan veprimi për antarësim” Ukrainës dhe Gjerogjisë gjatë Samitit të Bukureshtit në 2008-ën, Gjermania praktikisht e ftoi Rusinë të pushtonte. Cilido person me njohuri bazike mbi politikën e jashtme Ruse, e dinte se Kremlini nuk do ta linte pa shfrytëzuar atë lloj pasigurie.
Në intervistën e saj për ‘Spiegel’, Merkel fajëson të tjerët për këtë litany dështimesh. Ajo thotë se nuk qe e vetmja që ishte kundër procesit të antarësimit në NATO të Ukrainës dhe Gjerogjisë, por a supozohet ta shfajësojë kjo? Në ato kohë, Europianët i merrnin direktivat nga Gjermania dhe zëri i Merkelit, siç ajo e di mjaft mirë, kishte më tepër peshë se i kujtdo tjetër.
Ngjashëm, Merkel vijon të përsërisë thashethemin se Nord Stream ishte një projekt vetëm e vetëm ekonomik, edhe pse qartësisht nuk ishte i tillë. Duke mbrojtur qasjen e saj për të zbutur e paqtuar Rusinë, ajo argumenton se Polonia dhe Ukraina nuk e kishin problem që gazsjellësi të kalonte nga territoret e tyre, sa kohë ato përfitonin prej tij. Por, debati në lidhje me Nord Stream qëndronte në faktin se, duke shmangur Poloninë dhe Ukrainën, praktikisht eleminonte çfarëdo influence që ato mund të kishin përballë Moskës. Merkel vendosi që furnizmi me gaz me kosto më të lirë, ishte më i rëndësishëm se siguria e Ukrainës dhe Polonisë. Në fund, qasja e saj solli një krizë energjitike dhe ishte shkaku i nisjes së një lufte të re tokësore në kontinentin europian. Si përfundim, jo vetëm nuk u ul kostoja e furnizmit me gaz, por Europa humbi edhe në aspektin e sigurisë.
Vendimi i Merkelit, pas katastrofës së Fukushimas në 2011 në Japoni, për të nxjerrë jashtë funksionit impiantet nukleare gjermane, po ashtu fuqizoi Rusinë duke e bërë ekonominë gjermane edhe më të varur nga hidrokarburet ruse. Sërish, zgjedhje të tilla do të mund të mbroheshin nëse do të ishim te bekuar nga injoranca dhe mosnjohja e karakterit të vërtetë të Vladimir Putinit. Por, pas 2008-ës dhe sidomos pas 2014-ës, nuk kishte më dyshime se cili ishte Putini dhe çfarë synimesh kishte.
Vetë Merkel u pralajmërua disa herë. Qysh në 2006, ministri i atëhershëm i mbrojtjes së Polonisë, Radek Sikorski, e krahasoi projektin Nord Stream me paktin Molotov-Ribentrop (marrëveshja e feshtë e 1939-ës mes Hitlerit dhe Stalinit për të mos sulmuar njëri tjetrin). Pesë vite më pas, ai përsëriste të njëjtën gjë, duke parlajmëruar se Polonia dhe Europa duhet t’i trembeshin më tepër pasivitetit të Gjermanisë se sa fuqizimit të saj.
Por, Merkel nuk i mori parasysh këto argumenta. Gjatë qëndrimit të saj në pushtet për një kohë të gjatë, Gjermania u përpoq ta shiste sigurinë e Europës lindore për të energji me kosto më të lirë, braktisi një burim ekzistues të energjisë së rinovueshme, dhe iu dha populistëve të djathtë një kauzë të rëndësishme mbi të cilin të ngrinin fushatën e tyre. Ajo e bëri Europën më pak të sigurt si përballë kërcënimeve të jashtme, ashtu edhe ndaj atyre të brendshme. Sot, me Gjermaninë të urn ë krizë lidershipi dhe të rrahur nga stuhi të reja gjeopolitike globale, Merkeli vijon t’i thotë vetes se bëri gjithçka siç duhej. /Përgatiti në shqip për TemA, Bjorn Runa
Sławomir Sierakowski ëshë themelues i lëvizjes ‘Krytyka Polityczna’, një rrjet intelektualësh të majtë polakë, ngritur rreth revistës me të njëjtin emër, e themeluar në vitin 2002.