“Pse në filmat e huaj duhet të na portretizojnë gjithmonë sikur jemi të këqinjtë”? Kjo është një frazë që thuhet nga një anëtar i skuadrës speciale të Reneas që në 10 minutat e para të filmit.
Është filmi “The Brave”, një prodhim i standarteve të Hollivudit, që ka sjellë në ekranet e kinemave të Tiranës historitë shqiptare të drogës, krimit, prostitucionit dhe luftës së forcave RENEA.
I frymëzuar nga ngjarjet e Lazaratit, filmi tregon luftën e një skuadre prej 4 policësh të RENEAS për t’i dhënë fund mbretërimit të një bosi të drogës në fshatrat e Shqipërisë së Jugut.
Filmi është një realizim i fuqishëm, plot me skena aksion, shpërthime armësh të kalibrave të ndryshëm, intrigë policeske por dhe bërthama romance.
Në film luajnë aktorë të njohur Hollivudi si Armand Assante (që ka luajtur dhe te filmi “Gotti”) e Louis Mandylor (i njohur nga “My Big Greek Fat Wedding” – Martesa Ime Greke), por dhe aktorët më të famshëm rusë, Ravshana Kurkova e Yuriu Kutsenko.
Në film nuk mungojnë edhe aktorët shqiptarë, Bes Kallaku, Vin Bejleri e Mensur Safqiu, të tre me role të realizuara bukur e që do të mbahen mend gjatë. Në role më të vogla luajnë dhe Salsano Rrapi e Kleofina Pnishi.
Filmi i regjisorit amerikan William Kaufman pati premierën të enjten në kinema Millenium. I pyetur për realizimin e filmit, regjisori Kaufman u shpreh që “Shqipëria është një vend imrekullueshëm e me njerëz të mrekullueshëm.
Njerëz të këqinj ka gjithandej, por askush nuk flet për heronjtë shqiptarë. Duhej vetëm që dikush jo vetëm ta kuptonte këtë, por ta shndërronte në film.” Filmi po shfaqet në të tëra kinematë e Tiranës dhe Prishtinës.