Ne jemi i vetmi popull në Europë, që pas shpalljes së pavarësisë krijuam një ushtri që luftoi(dhe ia doli për pak kohë) kundër pavarësisë, duke kërkuar të qëndronte nën sundimin osman.
Ne jemi i vetmi popull që në zgjedhjet e para pluraliste, votuam sërish partinë që na kishte sunduar dhe dhunuar për 45 vjet në komunizëm.
Ne jemi populli që jetoi nën rregjimin më të egër komunist në Europë, dhe të vetmin bunker që kemi shpëtuar nga ajo kohë, ia kemi dhënë një italiani të na e “ruajë”.
Ne jemi populli i vetëm ndër vendet ish komuniste, që nuk e rrëzoi dhe nuk e ndëshkoi komunizmin, por “për inat” i shembi të gjitha fabrikat dhe preu të gjitha plantacionet që ishin mbjellë në komunizëm.
Ne jemi i vetmi popull që në 1997, u vramë dhe i vumë flakën vendit, për të larguar presidentin nga detyra, dhe 8 vjet më vonë këtë president e kthyem në detyrë me votë të lirë dhe demokratike.
Ne jemi i vetmi popull ne Europë që nuk kemi protestuar asnjëherë, për arsye politike apo ekonomike, pa organizimin e një partie politike.
Ky është i vetmi vend, kur një kandidat fiton zgjedhjet, pasi u thotë qytetarëve: Ma jepni votën edhe kësaj radhe, sa të mbarojë djali shkollën në Francë. Votuesit e vlerësojnë për sinqeritetin. / Fb/ Nga Mentor Kikia