Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar lidhur me dyshimet e ngritura nga mediat në Kosovë për dy serbë që kishin vizituar Deçanin, disa ditë para se të ndodhte helmimi masiv i qytetarëve.
Sipas Vuçiç, dy shtetasit serbë nuk janë afruar as 500 metra afër burimit të ujit.
“Ne kemi një analizë të lëvizjes së automjeteve me targa të Novi Sadit, nuk ishin as 500 metra afër burimit të ujit. Ne po presim të shohim se çfarë do të thonë. Po presim, po dëgjojmë”, tha Vuçiç.
Ndërkaq, portali Albanianpost, ka raportuar më herët se më 27 qershor, Naim Muçaj, pronari i një restoranti, 500 metra në rrugë ajrore larg këtyre pikave të ujit, tha se është vizituar nga dy të rinj serb, të cilët kishin ardhur me një veturë me targa të Novi Sadit, të cilët e kishin pyetur për Manastirin e Deçanit.
Për shkak se këta dy persona i ishin dukur shumë të dyshimtë, Muçaj kishte njoftuar Policinë e Deçanit dhe u kishte dhënë pamjet e kamerave të sigurisë, për t’i identifikuar ata.