Raportet mes presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha duket se janë zbehur kohët e fundit. Vërtet Meta i doli në mbrojtje pas shpalljes “non grata”, por që pas asaj dite, presidenti është distancuar tërësisht.
Berisha vijon të reagojë në rrjetet sociale për vendimin e DASH dhe sulmon Blinken, por nga ana tjetër Meta ka ndryshuar qëndrim. Së pari, Meta mori pjesë në pritjen që bëri ambasada në kuadër të Ditës së Pavarësisë.
Edhe pse ambasadori Reeker e shmangu nga axhenda, Meta mori pjesë duke tentuar të afrohet me SHBA. Më pas ai i dërgoi një letër presidentit Biden ku e vlerësonte dhe ky është një tjetër tregues se presidenti është distancuar nga Berisha dhe po tenton të bëjë paqe me amerikanët.
Por ajo që e tregon se raportet janë krisur, janë qëndrimet në mediat pranë PD. Më 5 korrik, presidenti Meta udhëtoi drejt Budapestit ku mori pjesë në një ceremoni të organizuar mes Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Budapestit për vendosjen e bustit të Skënderbeut.
Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte se pavarësisht se ishte Bashkia e Tiranës iniciatorja, në ceremoni ishte dhe presidenti Meta me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin.
Mediat pranë Berishës në sulm
Në njoftimet që bënë Presidenca dhe bashkia u kujdesën që të mos pasqyronin njëri-tjetrin. Por mediat dhe gazetarët pranë PD dhe pranë ish-kryeministrit Berisha, janë hedhur në sulm për prezencën e Metës aty.
Madje gazetarët dhe mediat pranë Berishës kanë nxjerrë dhe një foto ku Meta e Veliaj janë duke buzëqeshur pranë njëri-tjetrit. Sipas tyre, Meta dhe Veliaj kanë pasur një takim të fshehtë në Hungari.
Ndaj presidentit kanë nisur sulmet dhe akuzat duke e akuzuar se po afrohet me Ramën përmes Veliajt. Pra Berisha dyshon për tradhti nga ana e Metës. “Të gjithë e perceptojnë kështu sepse Ilir Meta kërkon të japë këtë imazh. Ai ngjitet maleve, pi raki, ulet në oda, ka miq malësorë.
Në të vërtetë është e kundërta e kësaj. Ai është një “çun Tirone” si Edi Rama e si shumë të tjerë, që evoluon sipas rrethanës dhe nuk e ka të vështirë të ndryshojë aleanca e partneritete kur do interesi personal. Madje, ai mund të shfaqet i dehur një ditë para zgjedhjeve parlamentare për të sulmuar ambasadoren amerikane në një TV opozitar!
Ky është Ilir Meta. Është i njëjti Ilir Meta që i shkel syrin Edi Ramës me një foto Lali Euros në Hungari, me të njëjtin personazh që shembi Teatrin Kombëtar”, shkruan një portal pranë PD.
Qëndrimet
Po ashtu një gazetar pranë familjes Berisha ka reaguar fort për vizitën, ku dhe ai hedh dyshime se Veliaj dhe Meta janë takuar bashkë. Sipas tij, para 25 prillit, Meta vetëm sulmonte, por pas kësaj date nuk ka asnjë reagim për vendimet e Kushtetueses. Ndërkohë është ndalur dhe te takimi i aluduar mes Metës dhe Veliajt.
“Erion Veliaj ka qenë në pararojë të sulmeve ndaj Ilir Metës duke iu futur Presidentit deri edhe tek banjot për 9 mace që sipas kryebashkiakut ai i ka. Thënë kjo, më shumë se njëherë, e majta ka treguar se edhe sherrnajat më të ethshme mes tyre përfundojnë në pasione të mëdha.
Dy ditë më parë si Erion Veliaj dhe Ilir Meta u munduan fort të na tregojnë se ata ende nuk e honepsin dot njëri-tjetrin, por fotoja e mëposhtme po mundohet të na thotë diçka”, ka thënë ai. Pra duket se Berisha është i pakënaqur me lëvizjet e Metës, i cili si duket po tenton të afrohet me mazhorancën.