Kompania koncensionare e Hemodializës, “DiaVita” shpk, (pas të cilës qëndron Klod Allajbeu) vijon të marrë qindra mijëra euro nga Buxheti i Shtetit për shërbime të pakryera ndaj pacientëve në Shqipëri.
Për vitin 2021, “DiaVita” është paguar nga Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (FSKDSH) me një vlerë prej rreth 700 milionë lekë të vjetra ose mbi 600 mijë euro, për seanca dialize që nuk janë realizuar.
Ky konkluzion është nxjerrë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), i kryer mbi ecurinë e kontratave koncesionare në sektorin e Shëndetësisë.
Një vit më parë, KLSH identifikoi se koncesionari “DiaVita” kishte marrë edhe 1 milionë euro të tjera për shërbime dialize të pakryera.
Miliona për seanca të pakryera
Pra, me një total prej 1.6 milionë eurosh të dhëna “në ajër”, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka sugjeruar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Kujdesit Shëndetësor që të marrin masat për rikuperimin e parave publike të shpenzuara kot, si edhe të rishohin kushtet e Kontratës Koncesionare, të nënshkruar në vitin 2016 nga ish-ministri, Ilir Beqja.
Por, siç konstaton KLSH, rekomandimet e saj nuk janë zbatuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, të drejtuar nga Ogerta Manastirliu dhe vartësit e saj, duke thelluar gjithnjë e më shumë hendekun financiar për shërbimin e Dializës.
“Janë kryer pagesa për koncesionin e dializës për shërbime të pakryera në shumën 69,996,344 lekë, gjithashtu është konstatuar se për 5 qendrat e hemodializës janë kryer 1,447 seanca dialize të faturuara mbi projeksionin e përcaktuar në kontratën koncesionare për ofrimin e shërbimit, me një efekt financiar në shumën 16,210,741 lekë”, thuhet ndër të tjera në Raportin e Auditit të Kontrollit e Lartë të Shtetit mbi Përputhshmërinë në Fondin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.
Allajbeu, përfituesi kryesor
KLSH konstaton se “… numri total i pacientëve që janë trajtuar me dializë në institucionet shëndetësore publike dhe jopublike deri në muajin dhjetor 2021 është 1334 pacientë. Mbi 90 % e tyre e kanë marrë shërbimin në privat, 812 pacientë në Spitalin Amerikan dhe Hygeia; 410 janë trajtuar në 5 qendrat e dializës të “Dia Vita” shpk dhe vetëm 112 pacientë e kanë kryer dializën në spitalet publike”.
Spitalet private që kanë përfituar më shumë fonde publike në zbatim të kontratës koncesionare për Dializën janë “Spitali Amerikan” dhe “Hygeia”, të dyja në pronësi të biznesmenit Klodjan Allajbeu dhe personave të tij të afërt.
Allajbeu ka qenë më herët pjesë e grupit koncesionar.
Kompania koncensionare “DiaVita” ka një histori të çuditshme, e cila nisi nga një biznes i vogël në Berat.
Në vitin 2013, Majlinda Fetiu krijon në Berat shoqërinë e vogël, “Evita”. Shoqëria, e nisur në dukje pa pretendime, në vitin 2014 emëron si administratore Elona Saraçin, e cila më herët kishte qenë e punësuar pranë Spitalit Amerikan.
Në Shkurt 2016, “Evita” shpk fitoi tenderin për koncensionin e Hemodializës, duke ngritur pikëpyetje mbi pronarët e saj të vërtetë.
Në Qershor 2016, pra 4 muaj pasi kishte fituar kontratën koncensionare me vlerë 80 milionë euro, Majlinda Fetiu i shet aksionet tek biznesmeni Rasim Hamzaraj, i cili siguroi 72.5 përqind të tyre dhe pjesën tjetër Ertel Kërçukut.
Në Dhjetor të atij viti, Rasim Hamzaraj ia shet aksionet e tij shoqërisë “Arimo”, një kompani e regjistruar në zonën “offshore” të Amsterdamit, në Hollandë.
Paralelisht me këto ndryshime, kompania “Evita” ishte bashkuar në dhjetor 2015 me Spitalin Amerikan, me administrator Klodian Allajbeun, duke krijuar shoqërinë “DiaVita”.
Pasi “Evita” fitoi tenderin për koncensionin e Hemodializës, “DiaVita”, ku ishte pjesë edhe Allajbeu i Spitalit Amerikan, mori përsipër zbatimin e saj.
Spitali Amerikan, në bazë të kontratave me Fondin, është paguar nga koncensionari “DiaVita” për ofrimin e shërbimit të Dializës ndaj pacientëve, për të cilët nuk sigurohej hapësira në spitalet publike.
Siç konstatoi më herët Autoriteti i Konkurencës, Spitali Amerikan është “ofruesi më i madh i shërbimit të Dializës…”.
Prej Tetorit 2019, kompania koncensionare “DiaVita” është në pronësi të shoqërisë suedeze “Diaverium Diaverium International AB”, për të cilën, sipas Regjistrit të Pronarëve Përfitues rezultojnë emrat e Klodian Shehit dhe Hans-Carl-Anders Abrahamsson.
(Allajbeu ka nisur të shesë bizneset si dhe po dërgon një pjesë të parave të dyshimta në Angli. Këto lëvizje ngrenë dyshime për një plan të mundshëm arratisje për t’i shpëtuar veprimit të drejtësisë për një sagë aferash korruptive, ashtu siç veproi Rezart Taçi. /Boldnews