Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë në selinë rozë, kryeministri Edi Rama tha se për Reformën në Drejtësi nuk do të ketë diskutime me opozitën, pasi ajo është një çështje madhore dhe e vendosur nga partnerët strategjikë si SHBA dhe BE.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike dhe shtoi ftesa e tij për bashkëqeverisje, mbetet ende.
A ka marrëveshje për zgjatjen e organeve të vetingut?
Rama: Kjo është një domosdoshmëri që vjen si rezultat i një procesi që ka treguar se sa i vyer është për pastrimin e llumit të sistemit të drejtësisë dhe ky proces s’mund të ndërpritet. Reforma në drejtësi është një reformë e bazuar te një partneritet i ngushtë dhe i padiskutueshëm me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE.
Kërkesa për bashkëqeverisje?
Rama: PS është në një proces reflektimi sepse këto procese na kanë bërë që të qëndrojmë në lartësinë që kërkon publiku. Reflektimi na ka bërë që vetërregullimi është një domosdoshmëri për një parti që do të drejtojë vendin. Ne jemi sot në qeveri si një forcë e vetme, por s’e harrojmë që në qeveri ne s’na kanë sjellë vetë votat e anëtarësisë tonë, por shqiptarët dhe atyre ne duhet t’i japin shansin që të përfshihen në familjen tonë politike, për të thyer barrierat që koha i vendos. E nga ana tjetër t’i japim mundësi shqiptarëve të ndihen mirë për ato që na takon. Jo se ne nuk bëjmë gabimet tona, por bëjmë gjithmonë më të mirën tonë që edhe më e mira ta bëhet edhe për të tjerët.
Reforma në Drejtësi?
Rama: Reforma në Drejtësi s’është për t’u negociuar, por për t’u kryer. Është shumë e qartë të gjithë që kthim mbrapa nuk ka dhe kush i bie ndesh Reformës në Drejtësi i bie ndesh të ardhmes së vendit. Reforma në Drejtësi s’është kërkesë partiake, por historike, kombëtare, për të gjithë fëmijët e këtij vendi, ndërsa të tjerat janë çështje që do diskutohet. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë çdo gjë me PD.
A do të ketë aksion konkret për të ndaluar këtë lloj punësimet, sepse në rastin e Shkodrës janë anëkuar që Tom Doshi ka marrë vendet më të mëdha të punës?
Rama: Unë nuk futem në thashetheme që dalin rrugës, nga mbledhje që dalin nga konteksti. Deputetët janë aty për të dëgjuar njerëzit dhe për të sjellë në grupin parlamentar, në veshët e të gjithë anëtarëve të qeverisë shqetësimet e njerëzve. Deputetët nuk janë as punëdhënës, as zyra pune. Proceset se si organizohet puna e shtetit dhe si rekrutohen njerëzit për administratë, janë procese që rregullohen dhe i takojnë strukturave të shtetit.