Aktorja Rajmonda Bulku ka dhënë pak ditë më parë një intervistë për Grida Dumën, ku ndër të tjera ka rrëfyer një përballje me vajzën e Enver Hoxhës në bulevard, gjë e cila e ka tronditur shumë, pasi e bëri të kuptojë se bënte një jetë mjerane, edhe pse ishte një aktore e suksesshme.
“Në bulevard shikoj fëmijët e udhëheqësit, vajzën e udhëheqësit që kishte ardhur nga jashtë shtetit.
Dhe nga një vajzë që kishte qenë e shëndoshë, kishte ardhur një vajzë e bukur.
Jo shumë elegante, por mund t’i thoje elegante. Alamet vajze.
Unë vija nga Instituti i Arteve. Kisha luajtur shumë filma.
Dhe isha grua e re. Dhe eci në bulevard, e ndaloj dhe e përshëndes.
I them për herë të parë burrit të saj, sa e bukur të është bërë gruaja.
Dhe iki. Këtë nuk e kisha bërë kurrë.
Kisha ecur nga Piramida deri në shtëpi, nuk e di, pa qenë në vete.
E shoh vjehrrën time dhe mund të thoja ato që unë po i mendoja, po i bluaja, po zieja nga brenda.
Dhe i thashë për herë të parë nuk e di përse e përshëndeta filanen dhe filanin.
E përshëndeta i thashë, se ishte bërë shumë e bukur.
Më pëlqeu i thashë, i takon të bëhet e bukur. Është vajzë e mbretit, le të shkojë ku të dojë.
I thashë mbretit, por në atë kohë të flasësh në këtë gjuhë nuk duhet te jesh në vete.
Aq shumë isha tronditur, jo nga fakti i bukurisë së saj.
Ajo është vajza e mbretit i thashë dhe mund të shkojë ku të dojë, por unë kam që 16 vjeç që bëj filma i thashë, dhe punoj vetë.
Dhe jam aktore dhe artiste, dhe filmat e mi i shohin të gjitha i thashë.
Dhe unë bëj një jetë tmerrësisht mjerane, i thashë.
Të ma linte mua atë pjesë të bukur të jetës, ta jetoja.
Ajo ka të drejtën të shkojë ku të dojë, por dhe unë kam të drejtën time, dhe nuk mund të jetoj kështu”, thotë Bulku në rrëfimin e saj.