“A je në tokë të bukës o Albin Kurti”, ka shkruar ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, si reagim ndaj rritjes enorme të çmimeve të konsumit në tregun e Kosovës.
“Kush është ka ta saboton shtetin?! A po sheh se matrapazët po ta godasin popullin”, ka vazhduar Haradinaj duke kërkuar llogari nga institucionet e vendit për gjendjen aktuale.
“Një litër vaj brenda natës po të shtrenjtohet gati dyfish!”, ka specifikuar ai.
“A je edhe ti pjesë e këtij skenari, apo je shndërruar në “komisar për moral”!”
“Zgjohu o Kryeministër e kryje detyrën që ta ka dhënë populli, ose lësho rrugë. A po e sheh se është ka soset durimi!”, ka shkruar udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i cili i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës të veproj ose të lëshoj rrugë.
Çmimi i vajit po vazhdon të rritet në mënyrë enorme, e krejt kjo për vetëm dy tre ditë.
Prej 1.50 çmimi më i ulët sa ishte në fillim, vaji dje arriti në çmimin 2,49 euro, kurse sot sipas raportimeve nga qytetarët çmimi ka arritur në 3 euro e 49 cent për një litër.
Madje dyqanet tashmë nuk po e shesin atë me shumicë, qysh nga dje kur qytetarët nga paniku për rritjen e çmimit filluan të blinin vaj dhe të boshatisnin raftet në markete, për të pasur rezerva më vonë.
Tash në dyqane po lejohet vetëm blerja e tre litrave, pra tre copë apo tre produkte të vajit.
Deri në 3 euro mund të shkojë edhe një litër naftë, kanë paralajmëruar naftëtarët.
Një ditë më parë çmimi i naftës në Kosovë arriti shifrat rekorde 1.82 euro për një litër.