Ikona e muzikës së lehtë shqiptare, Liljana Kondakçi, ka rrëfyer disa të pathëna nga jeta e saj në art, mes të cilave edhe për rivalët në skenë.
Ndërsa kujton me nostalgji pjesëmarrjen në festivale, Kondakçi tregoi edhe një moment të çmuar me rivalen e saj në skenë, Vaçe Zela.
“Ka pasur shumë këngë të bukura por kjo ishte shumë pikante. E këndoja me Vaçen, e kisha rivale sepse këndonim të dyja. Dhe më e bukura ishte se Vaçja u kënaq aq shumë saqë në fund fare më tha që kur të këndohet kënga fituese e çmimit, do ta këndosh ti”- tha Kondakçi.
E pyetur nëse ndihet e vlerësuar si artiste, Kondakçi tha se çmimin më të madh në botë e ka prej publikut.
Pjesë nga biseda:
Kondakçi: Ka pasur shumë këngë të bukura por kjo ishte shumë pikante. E këndoja me Vaçen, e kisha rivale sepse këndonim të dyja. Dhe më e bukura ishte se Vaçja u kënaq aq shumë saqë në fund fare më tha që kur të këndohet kënga fituese e çmimit, do ta këndosh ti.
Sepse gjithmonë ajo i këndonte çmimet e para, por këtë herë më tha që: – Jo, do dalësh ti ta këndosh çmimin e parë.
Ky ka qenë një vlerësim shumë i madh për mua sepse Vaçja ishte Vaçja. Ajo ishte më e madhja që kishim.
Erjona Rusi: Meqë jemi te vlerësimi, a ju kanë vlerësuar? Në kontekstin që, jo publiku sepse publiku padyshim ju do ende, ju duartroket, por vlerësim…
Kondakçi: Tani, të gjithë ata kudo që janë, lartë- poshtë, etj, prapë publik quhen publiku shqiptar apo jo?
Erjona Rusi: Jo flas për juritë, çmimet…
Kondakçi: Jo, jo… S’kam pasur ndonjëherë problem për këtë pjesë, por gjithmonë kam menduar se si të kënaq publikun tim. Nuk kam menduar çfarë do më japin apo çfarë s’do më japin. Çmimin më të madh në botë e kam prej publikut.