Ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt u sulmua pas protestës së 11 majit për shkak të deklaratave të tij kundër opozitës dhe skenarëve të dhunës. Në hyrjen e pallatit ku banon Bochardt u shkrua “Bochardt, turp të kesh”. Por kush fshihet pas këtij akti të dhunshëm? Fillimisht u aludua se ky ishte një skenar i Partisë Demokratike, por mesa duket nuk është aspak kështu. Lidhur me këtë akt, forcat e policisë shoqëruan në polici studenten Ana Hazizaj, e cila u mor në pyetje rreth ngjarjes.
Po kush është Ana Hazizaj? Ajo është ish kandidate për deputete nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ajo u fut në garë në zgjedhjet parlamentare të 2017 për t’u bërë deputete, por nuk fitoi. Nga ana tjetër, mjafton një vëzhgim në rrjetet sociale për të parë foto të Hazizajt me eksponentë të LSI, por edhe foto nga protestat e opozitës. Këto fakte tregojnë qartë lidhjen e saj me partinë e Monika Kryemadhit.
Ajo që e shton akoma më shumë dyshimin se kërcënimi i ambasadorit Bochardt ishte një skenar i LSI dhe jo i PD është mbrojtja që po i bëjnë përfaqësuesit e LSI Ana Hazizajt. Mjafton të përmendim këtu reagimin e ish-deputetit të LSI, Petrit Vasili. “Policia e Rajonit nr. 1 thërret tani në mes të natës studenten Ana Hazizaj për t’i bërë presion. Arsyeja është se i ka thënë Borchardit “Turp t’i vijë”. Ky është turp i vërtetë.
Policia që nuk guxon të ndalë horrat, kriminelët dhe të korruptuarit, thërret në mes të natës një vajzë të re studente. Ana Hazizaj ka të drejtën e fjalës, ka të drejtë të mendojë ndryshe, ka të drejtë të protestojë. Turp më të madh Shqipëria nuk ka parë. Turp për çdo ndërkombëtar që hesht ndërsa studentja Ana Hazizaj thirret në mes të natës”, tha Petrit Vasili. Po ashtu vlen të kujtojmë sulmet pak ditëve më parë të Monika Kryemadhit kundër Bernd Borchardt.
‘Ai (Bernard Borchardt) ka probleme këtu, duhet të jetë shumë i kujdesshëm se po ti bëhet vetingu atij dhe ndonjë tjetri nuk dihet si del. Shqiptarët nuk janë qen dhe mace dhe të bëjë si të dojë ai, se këtu është buka dhe jeta e shqiptarëve, ai ikën dhe nuk e kthen më kokën pas. Duhet të kenë kujdes ambasadorët kur flasin për shqiptarët se nuk janë Zot këtu”, deklaroi Monika Kryemadhi.