Presidenti Ilir Meta ditët e fundit po përdor konfliktin Ukrainë-Rusi për të qetësuar akujt me amerikanët.
Pas ish-kryeministrit Berisha, Meta thuhet mund të shpallet “non grata” dhe kreu i shtetit ka nisur lëvizjet për të treguar se është në krah të amerikanëve. Por a është Meta vërtetë armik i Rusisë?
Presidenti po e sulmon fort Moskën, ndërkohë që faktet flasin të kundërtën. Gazeta po sjell sot për publikun disa detaje jo shumë të njohura për lidhjet e vjetra të presidentit me Rusinë.
Është folur shpesh se Moska ka njerëzit e saj këtu dhe pyetja që shtrohet është nëse Meta është njëri prej tyre?
Vizita e mistershme
Në vitin 2002, Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë në Moskë. Vizita është mbajtur më 11 dhjetor dhe ka zgjatur disa ditë. Meta në atë kohë mbante postin e zv/kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm, ndërkohë që kryeministër ishte Fatos Nano. Që pas kësaj vizite afrimiteti i Metës me rusët është rritur ndjeshëm.
Por çfarë realisht ndodhi në dhjetor të 2002? Meta u prit në Moskë nga homologu Igor Ivanov dhe vizita erdhi pak javë pasi Meta zhvilloi një vizitë në Beograd. Sipas raportimeve të medieve ruse në atë kohë, pasi në Shqipëri nuk kishte portale, fokus i vizitës ishte bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar mes të dyja vendeve, rritja e komunikimit dhe shkëmbimi i informacionit, lufta e përbashkët ndaj trafiqeve dhe krimit të organizuar, puna e përbashkët në rritjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit.
Sipas medieve, në Moskë ministri Meta nënshkroi 2 marrëveshje në fushën e universiteteve dhe atë në dhomat e tregtisë, çka sipas tyre hapte rrugën e tregjeve shqiptare ndaj mallrave dhe prodhimeve ruse si dhe bashkëpunimit të kompanive të të dyja vendeve.
Po sipas medieve, takimi me dyer të mbyllura midis dy ministrave zgjati mbi 3 orë dhe sipas raportimeve, ishte biseduar gjatë mbi stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit, ndërkohë që ministri i jashtëm Ivanov e kishte vlerësuar si kyç të suksesit të kësaj politike, vizitën në Beograd të ministrit të Jashtëm Ilir Meta.
“Edhe këtë radhë të dy ministrat u ndalën gjatë edhe në vendimin e Beogradit për të futur Kosovën në kartën e re kushtetuese Serbi-Mal i Zi, një vendim ky i kundërshtuar ashpër nga shqiptarët atje.
Ministri i Jashtëm Meta, më pas u shpreh se Shqipëria e respektonte vullnetin e lirë të popujve të Serbisë dhe Malit të Zi për të ardhmen e vendit të tyre si rruga më e shpejtë për integrimin e tyre evropian, por shtoi ai, çdo përpjeke e nxituar dhe e një anshme për të vendosur për Kosovën, duke mos marrë parasysh vullnetin e shtetit të Kosovës, do të ishte një vendim jo demokratik me pasoja për paqen dhe stabilitetin në rajon”, raportonin mediat në atë kohë.
Konferenca mes dy ministrave
Të dy ministrat mbajtën dhe një konferencë shtypi në atë kohë. Sipas medieve ndërkombëtare, Meta, u shpreh në Moskë se Shqipëria respekton çdo vendim të marrë në mënyrë demokratike nga Serbia dhe Mali i Zi për kartën e tyre Kushtetuese. “Është një e drejtë e popullit të Serbisë e të Malit të Zi që të vendosin në mënyrë demokratike për të ardhmen e tyre.
Ne do të respektojmë çdo vendim të marrë nga ata në mënyrë demokratike, duke besuar se kjo do të përshpejtojë procesin e integrimit në Bashkimin Europian të Serbisë dhe Malit të Zi”, tha ai.
Ndërsa pyetjes së një gazetari drejtuar ministrit të Jashtëm Ivanov, nëse ndante të njëjtin mendim me zotin Meta, Ivanov u shpreh se “jemi dakord që popujt e Jugosllavisë duhet të vendosin në mënyrë demokratike për të ardhmen e tyre”.
Për Kosovën ai u shpreh se, “duhet respektuar rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit”. Sipas Mediave, vizita e Metës solli një zbutje të toneve të Rusisë dhe pritja që iu bë ishte shumë miqësore.
A është Ilir Meta njeriu i rusëve në Tiranë? Zbardhen
Pikëpyetjet
Nëse shohim vizitën e 20 viteve më parë dhe qëndrimet sot të presidenti duket se ka shumë dallime. Meta mund të quhet ministri i vetëm që qetësoi ujërat me rusët dhe mbetet politikani më i lartë që ka shkuar në Moskë sa i takon raporteve mes dy vendeve.
Kryeministri Rama ka bërë një vizitë të ngjashme, por si kryetar i OSBE dhe nuk kanë qenë në fokus raportet Tiranë-Moskë. Një vizitë të ngjashme ka bërë zv/ministrja e Jashtme Edit’h Harxhi, ku po në fokus ka qenë bashkëpunimi mes dy vendeve. Pra gjatë kohës që Meta ishte ministër dhe kur Berisha ishte kryeministër, ka pasur vizita në Moskë.
Të jetë kjo koincidencë? Ajo që vihet re edhe sot është se ambasada ruse kurrë nuk e ka sulmuar presidentin Meta. Qeveria është sulmuar disa herë nga rusët, por Meta në shumë raste është marrë në mbrojtje. Pra duket se kreu i shtetit ka një afeksion të vjetër për rusët.