Përdorimi i dosjeve të Sigurimit të Shtetit është një praktikë e njohur e ish-kryeministrit Sali Berisha për të mbajtur peng figura të njohura në Shqipë
ri, prandaj ai nuk i ka hapur kurrë ato. Berisha bëri “autogol” ditën e djeshme, pasi deklaroi se di çdo gjëpër dosjet e Sigurimit. “I kam dokumentet në dorë dhe i kam parë të gjitha dosjet e Sigurimit”, deklaroi kreu i “Foltores”.
Kjo konfirmoi atë që gazeta “Sot” e lajmëroi pak ditë më parë, se Berisha e ka mbajtur peng Ilir Metën qysh nga viti 1991. Por diçka e fortë e ka detyruar kreun e “Foltores” për të nxjerrë nga sirtarë këtë dosje dhe ta “shesë” Metën tek kryeministri Rama. Në mes luhet fati i Sali Berishës në politikë dhe në luftën që u ka shpallur amerikanëve.
Sipas informacioneve që disponon gazeta “Sot” dyshohet se kryefoltoristi ka hapur dosjen e Ilir Metës në këtë moment, në këmbim të fitores në Apel për të mos humbur Partinë Demokratike. Hapja e kësaj dosjeje i shpjegoi të gjitha se ku qëndronte loja.
Raporti Berisha-Meta dhe dosja mes tyre
Raportet mes Sali Berishës dhe Ilir Metës janë një histori që karakterizohet nga urrejtja deri tentativë për eliminim fizik të tjetrit, akuzat e llahtarshme, arrestime dhe shantazhe, por edhe nga flirte, aleanca, pazare, bashkëqeverisje, përbetime për dobësi të veçantë ndaj njëri-tjetrit, protesta të përbashkëta bashkim kundër Lulzim Bashës, SHBA-ve, reformës në drejtësi dhe natyrisht kundër Edi Ramës. Berisha nisi një betejë të egër politike kundër Ilir Metës në fillim të viteve 2000, kur Fatos Nano e bëri kryeministër.
Akuzat e Berishës ndaj Metës varionin që nga korrupsioni, pastrimi i parave, vrasjet, vjedhja e floririt, trafiqet e drogës etj. Nga ana tjetër, Meta e akuzonte Berishën për piramidat, kriminalizimin e SHIK-ut, pozicionin kundër bombardimit të Serbisë nga NATO, për korrupsion, pallate në emër të vjehrrit etj. Por prapaskenat e këtyre përplasjeve dhe bashkimeve i ndante dhe i bashkonte kjo dosje.
Fati i Berishës varet nga gjyqi për PD
Kreu i “Foltores” mund ta ketë shitur Ilir Metën tek kryeministri Rama, pasi një vendim kundër tij nga Apeli që i heq administrimin e selisë blu, do të sillte fundin e tij politik dhe “mburojën” e tij kundër drejtësisë dhe amerikanëve. Nëse drejtësia i heq nga duart PD, Berisha i humb të gjitha.
Ai nuk e ka dashur kurrë PD si politikan i ndershëm, që ta vejë kauzën e saj në dobi të vendit e demokracisë, as si pushtetar e as si opozitar, por e ka përdorur atë si mburojë për interesat e tij dhe demokratët e thjeshtë si mish për top. Në situatën dhe pozitat që ndodhet ai, ku gjysma e Evropës dhe SHBA i ka mbyllur dyert, ky vendim do te vuloste fundin e tij. Sot që flasim “Foltoren” nuk e njeh asnjë institucion.
Edhe me forcë Berisha nuk e mban dot selinë blu nëse Apeli i heq PD. Gazeta ka mësuar se pas këtij veprimi dhe në kushtet ku Sali Berisha dhe mbështetësit e tij do të bëjnë rezistencë, mësohet se drejtuesit legjitim të Partisë Demokratike do të pajtojnë një polici private për të ruajtur godinën.
Kjo strategji pritet t’i hapë telashe Berishës, pasi ai dhe mbështetësit e tij nuk mësyjnë dot në godinën blu, sikundër bënë më 8 janar të këtij vitit, pasi policia private nuk pret urdhra nga Basha apo Alibeajn dhe se ligji i jep të drejtë asaj që të thërrasë në ndihmë Policinë e Shtetit, për të shtypur revoltat apo dhunën që mund të aplikohet nga ithtarët e Berishës. Pra si përfundim, nuk është habi që Berisha t’i ketë shitur dosjen e Ilir Metës, kryeministrit Rama në këmbim të fitores së gjyqit te PD. /Nga Elmas Bogdani