Shkurt o im vëlla, me jep tri ditë hua ta ngrij plakën me gjithçka? Kjo gojëdhëne mbi dymijë vjeçare kujtohet çdo muaj prill sipas kalendarit Alla Turke, pikërisht kur moti pëson ndryshime të dukshme.
Sipas rrëfimeve të transmetuara nga brezi në brez, ndryshimet e motit në fillim apo në fund të muajit Prill lidhen me “mitin e plakave”. “Plakat” përdoren edhe në ditët e sotme, pasi shpesh dëgjojmë të thuhet se “bën ftohtë ngaqë janë plakat”.
Legjenda thotë një herë e një kohë disa plaka u ngjitën në mal dhe thirrën me të madhe: “Na e mori të keqen edhe dimri!”.
Ishte prill, por dimri vendosi të kthehej sërish. Muaji prill i kërkoi muajit Shkurt t’i jepte disa nga ditët e tij për t’i ngrirë plakat si për t’ju kujtuar që dimri nuk ka ikur dhe është më i fuqishëm se ato, dhe që është një fenomen natyror që duhet respektuar.
Plakat vdiqën nga i ftohti dhe më pas erdhi pranvera sërish.
Madje, gojëdhëna thotë se në atë vend sot gjendet një gur si në formën e një plake, ku edhe sot e kësaj dite, aty buron ujë, që thuhet se janë lotët e plakës.
Ndaj gati një javë në muajin Prill kthehet dimri, i cili sjell reshje shiu thuajse në të gjithë Maqedoninë dhe pas shirave vjen pranvera e vërtetë.