Në fillim ishte thjesht një lajm i pakonfirmuar. Shtabi i Përgjithshëm i Kievit kishte nxjerrë thashethemet se shumë ushtarë rusë të zënë robër raportuan se kishin marrë nga eprorët e tyre lajmin se lufta do të përfundonte më 9 maj
Me pak fjalë, dukej si propagandë.
Por, e kombinuar me konfirmimin zyrtar të ashpërsimit të operacionit, me qëllimin e deklaruar për të përqendruar përpjekjet e luftës në Donbass, sikur të duhej një rezultat i menjëhershëm, në kancelaritë perëndimore lindi shpresa ose frika se për atë datë mund të ndodhë vërtet diçka e rëndësishme.
E vetmja gjë e sigurt është se nuk do të jetë një ditë e zakonshme.
Sepse festohet Dita e Fitores, e cila u bë edhe më e rëndësishme gjatë njëzet viteve të Vladimir Putin, i cili donte ta kthente patriotizmin në ide kombëtare që, sipas tij, mungonte për të mbajtur bashkë një vend të tronditur ende nga shpërbërja e BRSS dhe kriza ekonomike e viteve të fundit të Boris Jelcinit.
Të hënën e 9 majit, gjatë paradës në Sheshin e Kuq, presidenti do të ulet i rrethuar nga veteranë të çdo lufte. Mund të bëhet një moment i sikletshëm, nëse ndërkohë nuk arrihet një fitore, si për shembull “çlirimi” i territoreve të dy republikave të Donetskut dhe Luganskut, ose marrëveshjet e paqes me “çmilitarizimin dhe denazifikimin” e ‘Ukrainës.
Pas një mungese prej dy vitesh për shkak të pandemisë, do të rikthehet në paradë edhe Regjimenti i Pavdekshëm, që lindi si një nismë spontane dhe më pas u imponua nga lart si simbol i kujtesës historike të rusëve.
Mijëra pasardhës të fitimtarëve kundër nazi-fashizmit do të marshojnë në çdo qytet, të cilët do të mbajnë portretet e baballarëve dhe gjyshërve të tyre, të bashkuar nga slogani i gdhendur në hyrje të varrezave Piskariovskoye në Petersburg, në kohën e Leningradit “Askush nuk harrohet, asgjë nuk harrohet”.
Në vitin 2019, kishte më shumë se një milion në Moskë. Mund të jetë një ditë e së vërtetës, ku edhe çdo protestë do të ishte e vështirë të kontrollohej. Sepse protagonistë do të jenë ata që kanë të drejtë të bëjnë pyetje. Për të cilën Putini do të duhet të përgjigjet ende.(Corriere.it,”Si”)