Nëse Luljeta Bozo nuk do të zgjidhej deputete, atëherë në muajin shtator, sipas rregullores, seancën e parë parlamentare i binte ta drejtonte Sali Berisha (i datëlindjes 1944) që ka lindur një vit më vonë se Bozo (1943). Kuvendit i është hequr ky debat që mund të përfshinte sërish Berishën si i shpallur “non grata” nga DASH për të cilin ambasada amerikane në Tiranë ka kërkuar që të mos jetë në Kuvend.
Ndërkohë, në shtator pritet të mblidhet Kuvendi i ri me emra kryesisht të vjetër.
Sipas të dhënave të përpunuara nga stafi monitorues i Institutit të Studimeve Politike (ISP), në total 18 deputetë janë mbi moshën 60 vjeç, shumica prej tyre me përvojë të gjatë parlamentare, ndërkohë që vetëm dy deputetë do të jenë nën 30 vjeç, të dy prurje të reja politike
Ekspertët e ISP vlerësojnë se shumica e veteranëve të parlamentit të ri (6 të tillë) janë prurje të fillimeve, disa kanë mbajtur poste të larta politike edhe më 1990-1991 deri në kryetarë partish, disa drejtues të partive në rrethet e tyre, ndërkohë që dy prej prurjeve kanë përvojë minimale politike.
Sali Berisha, Tritan Shehu, Dashamir Shehi, Fatmir Xhafaj, Fadil Nasufi, Ismet Beqiraj kanë 30 vjet ne politike, pasuar nga Baftjar Zeqo, Petro Koçi dhe Edmond Spaho me 28 vjet.
Kryeministri Edi Rama ka lindur në vitin 1957 dhe është në politikë qysh prej vitit 1999 (mbi 20 vjet) ndërsa kryetari i PD Basha i ditëlindjes 1974 është aktiv në politikë prej vitit 2005./ SI