Politika shqiptare është bërë bashkë dhe ka nderuar kujtimin dhe sakrificat e Dëshmorëve të Atdheut me rastin e 75-vjetorit të Çlirimit dhe pse festimet kanë qenë të pakta.
Presidenti Ilir Meta shprehu mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që dhanë jetën për Çlirimin e Atdheut, që kurorëzuan 75 vite më parë një nga betejat më të mëdha të popullit shqiptar kundër pushtimit nazi-fashist, që rivendosi sovranitetin e vendit dhe riktheu pavarësinë e Shqipërisë duke shtuar se për shkak të fatkeqësisë që kaloi Shqipëria nuk mund të zhvillohet asnjë festim madhështor.
Në një prononcim për mediat nga Vlora, ai tha se shumë partnerë ndërkombëtarë kanë qëndruar në krah të shqiptarëve në këto ditë të vështira, të cilët kanë dhënë ndihmën e tyre që në momentin e parë të tragjedisë së 26 nëntorit. “Në radhë të parë dua të shpreh sot mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që dhanë jetën për Çlirimin e Atdheut, që kurorëzuan 75 vite më parë një nga betejat më të mëdha të popullit shqiptar kundër pushtimit nazi-fashist, që rivendosi sovranitetin e vendit, riktheu pavarësinë e Shqipërisë.
Por njëkohësisht edhe e vendosi popullin dhe vendin tonë në anën e duhur të historisë dhe të antifashizmit me mjaft sukses. Do të donim sot ta festonim me të gjithë madhështinë që i takon këtij 75-vjetori, por kjo fatkeqësi e jashtëzakonshme me të cilën u përball vendi ynë na ka vendosur para një sprove që duhet ta kalojmë të bashkuar, duke pasur në krah miq dhe partnerë, të cilët nuk kanë munguar të na ndihmojnë që në momentet e para”, tha presidenti Ilir Meta.
Më tej, kreu i shtetit foli edhe për situatën aktuale në zonat e prekura nga tërmeti. Meta u shpreh se do të bëhet çdo gjë për të arritur një akomodim sa më të shpejtë, të përshtatshëm dhe afatshkurtër për të gjithë banorët e prekur dhe më pas për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për integrimin e tyre të plotë në jetë normale ashtu si më parë. Sipas tij, përveç nderimit të viktimave, vendin e presin shumë sfida të tjera përpara, të cilat janë të mëdha.