Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk është një qenie e epërme që të mos preket nga sëmundjet, pasi frymor është dhe ai, pavarësisht që shumicën e kohës e harxhon me përgatitje fizike, ngjitje të mal apo dhe në vilën e tij në Gjirin e Lalzit.
Në ato momente ku gjendet në zyrën e tij apo në krye të punëve të Presidencës, tonalitetet e larta që ka përdorur në përballjen me miqtë tanë ndërkombëtarë, kanë lënë një shije të hidhur tek qytetarët shqiptarë që besojnë në masën 99% tek SHBA dhe BE.
As Berisha kur ka qënë President nuk ka arritur kaq larg në akuzat ndaj SHBA, siç ka arritur presidenti aktual që akuzon SHBA se është përzier në përpunimin dhe trafikun e kokainës në Xibrakë, akuzon BE me çfarë i del përpara, madje dhe e shantazhon ambasadorin me video.
Nuk mund të kalohet pa përmendur dhe etiketimi i ambasadorëve dhe zyrtarëve të lartë të Uashingtonit dhe Brukselit si “palaço” e “vagabondë” dhe kërcënuar se do të kërkojë hetim ndërkombëtar për ta, me argumentin se po shkelin Kushtetutën, sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë.
“Gabimi” që kanë bërë partnerët tanë ndërkombëtarë sipas Presidentit Ilir Meta fillon me njohjen e 30 qershorit dhe rrëzimin e dekreteve të tij, për këtë shpalli “non grata” ambasadorin e OSBE Bern Borchardt, dhe guxuan e sygjeruan që ngërçin e Kushtetueses ta zgjidhim në “Venecia”.
Këto sollën acarimin e Metës, i cili në një mënyrë të ngjashme me liderin e një kohe të shkuar që nuk duam ta kujtojmë, bëri thirrje për të marrë vetë shqiptarët, pa partnerët, fatin e vendit në dorë, për të mbrojtur sovranitetin nga ambasadorët.
Askush të mos mendojë se në momentet kur zëdhënësi i tij del dhe mban qëndrim në emër të Presidencës, flet me fjalët e tij apo me kokën e tij, por vetëm me urdhër dhe diktim të Metës.
Ndërkohë që ditën e sotme Meta ka kërcënuar se nëse mazhoranca prek Kushtetutën për të ndryshuar institucionin ku do të bëhet betimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe më gjërë, në përpjekje për të shmangur bllokimin e institucioneve, Presidenti do të hyjë në Parlament, bashkë me popullin për ta bllokuar këtë proces.
Nuk do të ishte aspak dinjitoze që shqiptarët ta përjetonin një moment të tillë, për të parë Presidentin të mbuluar nga gazi lotsjellës apo larg qoftë pas qelive të burgut si një keqbërës i rëndomtë. Ka plot akuza të tjera që mund ta bëjnë një të gjykuar më dinjitoz Metën.
Duke mbajtur shënim këto qëndrime radikale, që pavarësisht se të gjithë kanë mirësinë të mos i marrin seriozisht, por që dalë nga goja e Presidentit, dhe shoqëruar me gjeste aspak frymëzuese për shqiptarët, si përshëndetja “alla Duçe”, nderimi ushtarakisht i një gardisti, fotot në pozicione aspak të përshtatshme, ia vlen të mendojmë se duhet një test mjekësor.
Fundja nuk është fundi i botës nëse kërkohet që shëndeti i i Presidentit të “skanohet” nga koka e deri te këmbët, pasi dhe ndërkombëtarët që na kanë ndihmuar më gjithfarlloj ekspertësh për reformën në drejtësi dhe kudo, do të na e gjejnë një “treshe” mjekësore sa për te kaluar në test Ilir Metën.
Madje dhe vetë Ilir Meta ka deklaruar se është gati t’i nën shtrohet një testi të tillë, në përpjekje për të sifiduar Edi Ramën, deklaratë e bërë një muaj e gjysmë më parë.
“Duhet të jemi të qartë se presidenti vetëm e ka mbrojtur Kushtetutën. Le të thotë dikush se cilin nen ka shkelur presidenti. Unë nuk ndaloj as Komisionin e Venecias, as Kushtetuesen dhe as OKB-në që të çmendet, por të jeni të sigurt se jam i gatshëm kurdoherë që të kontrollohem në çdo raport mjekësor dhe çdo kontrolli tjetër nëse mendoni se përdor ndonjë doping apo tjetër gjë.
Kjo histori ka mbaruar dhe Kushtetuta e Shqipërisë ia jep të drejtën për datën e zgjedhjeve vetëm presidentit. A është anulimi i zgjedhjeve një akt normal. Jo nuk është. Situata ka qenë alarmante, ju e dini me gaz, keni parë demonstrues të plagosur, keni parë policë të plagosur”, ka thënë Meta më 8 tetor të këtij viti.
Do të qetësoheshin të gjithë nëse do të shpjegoheshin dhe shkencërisht dhe me terma mjekësore të gjitha lëvizjet më të fundit të Ilir Metës, nga pozicioni i Presidenti të Republikës./ M.Nikaj