Nga Anri Bala
Ka disa ditë, që nëpër disa gjirize mediatike, qarkullon një pyetje, herë direkt dhe herë indirekt, duke i’a drejtuar Metës, se: “A do e shpërndaj parlamentin?!” Kjo pyetje, vazhdon t’u bëhet gjithfarë konellapsi, që lehë nëpër hapësira ordinere emisionesh gjoja politike, të ftuar nga pronarë e drejtues kazanesh, pa e ditur askush se çfarë përfaqësojnë, të shoqëruar me ca të vetquajtur jurist, nga Universiteti i Harvard Kristalit.
Mirëpo, në të shumtën e rasteve, kjo marrëzi, po proklamohet çdo ditë, si një mundësi që Meta nuk e përdor për të mos i vënë flakën vendit dhe kjo është tallja më e madhe me Presidentin dhe instuticionin që ai përfaqëson, sepse Meta u mundua t’i a vinte flakën Shqipërisë, por ja fikën çakmakun ndërkombëtarët dhe t’i japësh atribute pushteti, që as nuk i imagjinon, nuk është vetëm tallje, por mashtrim i qëllimshëm, për ta futur në rrugë pa krye presidentin.
Të vjen neveri tek dëgjon kryejuristin e SHQUP-it, që krijon Kushtetutë imagjinare! Parlamenti, nëse nuk ka 140 deputet, shpërndahet vetëm në mendjen e tij, Berishës dhe gjithë ëndrrimtarëve, që tashmë kanë humbur rrugën në oborrin e shtëpisë së tyre politike, e shëtisin rrugëve duke ëndërruar.
Më të mënçurit, si deputet-polici apo jaranin e mesazheve erotike, kanë gjetur strehë nëpër studio, ku gazetarët e “famshëm” ish ushtarak apo aktor, me nivel të njëjtë me këto të ftuar, nuk pyesin, por ëndërrojnë se si mund të shikojnë përsëri shfaqje sa më shpejt me gjuajtje çizmesh, boje, apo vezësh dhe a ka mundësi Ilir Meta të na e plotësoi këtë dëshirë?
Sigurisht, edhe për një fëmijë të klasës së katërt fillore është krejtësisht e pamundur, por duke qenë se, niveli intelektual i pyetësit është më i ulët se i atij që përgjigjet, asnjëherë opinioni nuk merr një përgjigje, por shprehje dëshirash e ëndrrash, që në të vërtetë nuk janë të ndaluara.
Duke mos bërë juristin dhe për të mos ua bërë kokën daulle me nene dhe ligje, kushtetuta thotë:
1- Forma e shtetit: Shqipëria është Republikë parlamentare.
2- Parlamenti zgjidhet nga sovrani popull me zgjedhje çdo katër vjet.
3- Parlamenti zgjedh kryetarin e shtetit, Presidentin e Republikës.
4- Parlamenti shkarkon Presidentin për shkelje të rënda të Kushtetutës, kur për këto shkelje është marrë dhe miratim i Gjykatës Kushtetuese.
5- Presidenti dekreton shpërndarjen e parlamentit, kur anëtarëve të parlamentit u mbaron mandati për ta çuar vendin në zgjedhje.
6- Presidenti dekreton shpërndarjen e parlamentit, kur qeveria humbet shumicën parlamentare dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, etj…
Nuk ka asnjë rrjesht, as me presje, se nëse parlamenti nuk ka 140 anëtarë shpërndahet, por halli të bënë dhe qesharak, por edhe të paditur kur e di mirë, por shpërndan dëshirën tënde lart e poshtë si çdo i marrë që lumturohet nga budallalliku i tij.
Pra, në asnjë rast, presidenti nuk ngarkohet apo lejohet nga Kushtetuta të shpërndaj parlamentin, por të dekretoi shpërndarjen e tij për arsye objektive, të kërkuara nga shumica parlamentare.
Për ronxhobonxhot dhe gazetarët, të vjen neveri kur i sheh se si përpiqen të të fyejnë inteligjencën me paditurinë e tyre, por të paktën të shfletojnë 2-3 fletë nga Kushtetuta, që të mund të na përgjigjen:
1- A do e shpërndante noteri Meta parlamentin, sikur të kishte hapësirë edhe një presje ligjore?!
2- A është presidenti shqiptarë një noter me të drejta të kufizuara kushtetuese, si çdo kryetar shteti në një republikë parlamentare?!
Në fund, një këshillë dashamirëse për politiqenët… do bënit mirë të gjenit ndonjë punë tjetër, si për vete ashtu dhe për Metën, atje ku ferrat që ha ai, ju ia pagëzoni si kurorë mbretërore për gomer, që askush të mos i’u thërras edhe ju gomer…/Fjala.al