Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka reaguar me anë të një deklarate për shtyp mbi ngjarjet e fundit pas protestës në Kukës.
KShH thotë në deklratën e saj se e ka ndjekur të gjithë ngjarjen dhe është informuar për të gjithë procesin, por dënon ndërhyrjen e politikës në këtë protestë që duhet të ishte qytetare. “KShH mendon se në raste të tilla, kur qytetarët protestojnë për një problem sensitiv që ka të bëje edhe me mundësitë e kufizuara ekonomike të tyre, problemi nuk duhet politizuar sepse dëmton kauzën e drejtë të tyre.”, shkruan Komiteti.
Nga ana tjetër KShH i jep një shuplakë opozitës e cila sot tentoi të hyjë me dhunë në ambjentet e Gjykatës ku po jepej masa për 23 të arrestuarit. Duke e dënuar si akt, ku ndër të tjera deputetët e opozitës goditën dhe kapën për fyti policinë, KShH shprehet se “rast nuk mund të justifikohet prishja e zhvillimit të rregullt të seancës gjyqësore, dhe aq më tepër veprimet me natyrë ndikuese apo intimiduese ndaj gjykatës”. Nga ana tjetër theksohet në deklaratë se “Diskrecioni për të vendosur dhe argumentuar gjykimin me dyer të mbyllura konform këtij Kodi i takon gjykatës”.
KShH nuk le pa permendur edhe faktin se “disa protestues përdorën dhunën, gjë që nuk pajtohet me kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit nr. 8773, dt. 23.04.2001 “Për tubimet”
“Ka qenë evidente që disa protestues përdorën dhunën, gjë që nuk pajtohet me kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit nr. 8773, dt. 23.04.2001 “Për tubimet”. Janë organet e prokurorisë dhe të gjykatës që do të përcaktojnë nëse organet e policisë kanë vepruar ose jo në përputhje me ligjin.“, shkruhet ne deklarate./Lexo.al
DEKLARATË PËR SHTYP E KShH
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka ndjekur protestën e banorëve të Kukësit, ku shprehej pakënaqësia e tyre lidhur me tarifën për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit. Kjo e drëjtë, sipas nenit 1 të Ligjit “Për tubimet”, kufizohet vetëm në rast se rrezikohet siguria kombëtare, siguria publike, mbrojtja e rendit dhe parandalimi i krimit, ruajtja e shëndetit ose moralit, ose mbrojtja e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.
Liria e tubimit lejon që të shfaqet publikisht pakënaqësia, indinjata dhe kritika çka shërben si një alarm që tregon se çfarë nuk shkon, duke i dhënë mundësi shtetit të reflektojë dhe korrigjojë qëndrimet apo masat e marra prej tij.
Ka raste kur informimi dhe konsultimi në kohë i publikut është jo vetëm i nevojshëm por përbën detyrim ligjor. Ky është edhe rasti i banorëve të Kukësit të cilët kundërshtojnë një politikë me interes publik. Vonesat në këtë drejtim u evidentuan edhe në Konferencën e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjitikës.
KShH mendon se në raste të tilla, kur qytetarët protestojnë për një problem sensitiv që ka të bëje edhe me mundësitë e kufizuara ekonomike të tyre, problemi nuk duhet politizuar sepse dëmton kauzën e drejtë të tyre.
KShH gjatë monitorimeve që ka ushtruar në bazë të ankesave të shtetasve për cenimin e të drejtave të tyre, ka konstatuar mungesë informimi dhe konsultimi për çështje dhe kauza me interes publik, veçanërisht lidhur me gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, gjë që bie ndesh me nenin 56 të Kushtetutës.
Sipas të dhënave të medias dhe deklaratave të organeve të Policisë së Shtetit, në protestën e Kukësit janë ndaluar 23 persona, ndërsa janë lënduar 13 policë. Çështja penale ka filluar dhe organet e drejtësisë janë ato që do të vendosin për përgjegjësinë ose jo të secilit.
Ka qenë evidente që disa protestues përdorën dhunën, gjë që nuk pajtohet me kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit nr. 8773, dt. 23.04.2001 “Për tubimet”. Janë organet e prokurorisë dhe të gjykatës që do të përcaktojnë nëse organet e policisë kanë vepruar ose jo në përputhje me ligjin.
KShH u informua se të ndaluarit në Kukës ishin sjellë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe në Komisariatet përkatëse, KShH ushtroi një monitorim në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ku ishin të akomoduar 12 shtetas të ndaluar, dhe në Komisariatin nr.3, tek i cili ishin vendosur 4 shtetas të ndaluar. Sipas pretendimeve, ata ishin ndaluar në Kukës rreth orëve të para të mëngjesit (03.00-04.00), të datës 1 Prill 2018 dhe ishin transportuar direkt në Tiranë. Gjatë monitorimit, u mor takim me personat e ndaluar dhe sipas pretendimeve të tyre nuk u ishte komunikuar shkaku i ndalimit dhe të drejtat që atyre u garanton ligji. Vec kësaj, megjithëse procesverbalet përkatëse mbanin datën 1 Prill 2018, ata ishin njohur me këto akte të nesërmen (dt. 2 Prill 2018). Për këtë vonesë, u mor takim me përfaqësuesit e drejtorisë së policisë së Tiranës, të cilët pretenduan se veprimet paraprake hetimore janë kryer nga policia gjyqësore e drejtorisë vendore Kukës, ndërsa në Tiranë ata janë sjellë për efekt kapaciteti. Edhe në komisariatin nr. 3, u mor takim jo vetëm me të ndaluarit, por edhe me punonjësit në këtë Komisiariat, të cilët u shprehën se në ambientet e Komisariatit mundësohej vetëm akomodimi dhe ofrimi i ushqimit.
Gjatë monitorimi rezultoi se të ndaluarve nuk u ishte siguruar menjëherë e drejta e mbrojtjes. Kjo e drejtë ju është ofruar ditën e nesërme të datës së ndalimit, përkatësisht dt. 2 Prill 2018, situatë që bie ndesh me nenin 34/b pika 2 e Kodit të Procedurës Penale.ku thuhet se të drejtat dhe garancitë e parashikuara për të pandehurin zbatohen edhe për personin e ndaluar.
Sot më datë 04.04.2018, rreth orës 10.40, nga media elektronike u njohëm për situatën e tensionuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku zhvillohej seanca për vleftësimin e ndalimit të protestuesve, në përputhje me nenin 258 pika 1 Kodit të Procedurës Penale. Si rregull seancat gjyqësore janë të hapura për publikun, me përjashtim të rasteve të gjykimit me dyer të mbyllura konform nenit 340 të Kodit të Procedurës Penale.
Diskrecioni për të vendosur dhe argumentuar gjykimin me dyer të mbyllura konform këtij Kodi i takon gjykatës, por në çdo rast nuk mund të justifikohet prishja e zhvillimit të rregullt të seancës gjyqësore, dhe aq më tepër veprimet me natyrë ndikuese apo intimiduese ndaj gjykatës