Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbajti edhe ai fjalën e tij në ceremoninë e inaugurimit të stadiumit “Air Albania”, krahas Armand Dukës e Aleksander Ceferin.
Rama zbuloi në fjalën e tij mesazhet që kishte shkëmbyer me Zhoze Murinjon, si dhe nuk i mungoi thumbat për kritikët e stadiumit.
“’Uau, stadium i shkëlqyer. Duhet të shkoj aty’ – ky ishte mesazhi që më çoi Zhoze Murinjo, një vizitor shumë special i stadiumeve më spektakolare të botës. Unë u përgjigja, se në realitet ky stadium është më i mahnitshëm se sa nga mund të duket nga dritarja e telefonit. E kam pritur këtë moment prej vitesh. E kam ëndërruar gjatë, ditën kur shqiptarët nuk do hynin në një nevojtore futbolli, për të mbështetur kombëtaren.
E kam dëshiruar prej kohësh, mbrëmjen kur kuqezinjtë do kishin një shtëpi të denjë. Ndihem i privilegjuar që u dha mundësia ta kthejmë një ëndërr sa të bukur, por edhe të largët, në realitetin e kësaj mbrëmje ku jemi mbledhur sonte.”- tha kryeministri Rama.