Sigurimi i 94 votave për të vulosur shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra, duket se nuk do të jetë problem për mazhorancën qeverisëse. Dy ditë më parë Kuvendi u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme, ku u votua një rezolutë përmes së cilës mazhoranca u kërkon institucioneve të mos njohin dekretin e Metës për emërimin e Marsida Xhaferllarit anëtare të Kushtetutës, ndërsa i bën thirrje kreut të shtetit të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.
Por ajo që ra në sy në këtë seancë plenare është fakti se opozita bashkoi votat me mazhorancën, teksa plot 97 deputetë votuan pro rezolutës. Mirëpo, bashkimi i votave mes mazhorancës dhe opozitës tregon qartë se shkarkimi i Metës nga detyra është më afër se kurrë. Mazhoranca qeverisëse ka ngritur një komision hetimor, i cili po heton shkelet e kryera nga kreu i shtetit para dhe pas 30 qershorit.
Ky komision afatin e hetimit e ka deri në 8 dhjetor dhe gazeta ka mësuar se pritet që të mblidhet në datën 22 nëntor për të shqyrtuar raportin përfundimtar të Komisionit të Venecias dhe provat e tjera sikundër është shkresa që Shërbimi Informativ i dërgoi presidentit Ilir Meta, për të cilën kreu i shtetit theksoi se e mori si bazë që vendosi për të anuluar zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Menjëherë pasi të kenë diskutuar dhe shqyrtuar provat, mazhoranca do të hartojë një raport, të cilin do ta dërgojë në Kuvend për të votuar.
Ja 26 deputetët e opozitës që do vulosin fundin e Metës
Por sipas ligjit për shkarkimin e Presidentit të Republikës duhen plot 94 vota. Mazhoranca qeverisëse nuk i ka e vetme kaq vota, ndërkohë që votimi i të premtes tregoi se shumica do ta ketë të lehtë që t’i sigurojë ato. Të premten në seancën e jashtëzakonshme rezoluta e mazhorancës u votua me plot 97 vota, duke treguar se votat e nevojshme për shkarkimin e Metës nga detyra janë plotësisht të arritshme. Kjo edhe për faktin se në seancën plenare të dy ditëve më parë munguan edhe disa deputetët të Partisë Socialiste, pasi ishin të angazhuar me takime jashtë vendit. Ndërkohë, ajo që ra në sy gjatë votimit të rezolutës kundër presidentit Meta ishte fakti se ishin plot 26 deputetë të opozitës që bashkuan votat me mazhorancën.
Gazeta ka siguruar procesverbalin e votimit dhe mes deputetëve të opozitës që votuan pro rezolutës janë Arma Barova, Ediola Braha, Arlind Çaçani, Arben Elezi apo Enver Rroshi, Ylli Shehu, Halit Valteri dhe Alban Zeneli. Vlen për t’u theksuar fakti se shumica e deputetëve të opozitë që votuan rezolutën janë deputetët që kanë dalë nga listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim sa i takon zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, kur LSI drejtohej nga Ilir Meta. Pra, ky ndryshim kursi tregon se mazhoranca do t’i sigurojë shumë lehtë votat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra edhe pse ky i fundit po bën një luftë të fortë në prapavijë për të përçarë deputetët e opozitës, madje edhe të mazhorancës. /Rigels Seliman