Një analizë e shkurtër për vajzën e babait dhe bashkëshorten e askushit
Nga Adem Janina
Nuk ka kaluar një javë, ku Sali Berisha sulmoi bashkëshorten e kryeministrit Edi Rama, duke bërë një krahasim me gjyqtarin e “shkarkuar” për korrupsion dhe pasuri që nuk justifikohet, Petrit Lulo. Ajo që të bënë çudi, është se si një ish-kryeministër mund të guxojë të marrë në mbrojtie një person të korruptuar, që nuk arritën ta “shpëtonin” dot… as avokatët e tij?!
Ndoshta, ky sulm i tij ka vetëm një kuptim: Berisha nuk është i shqetësuar për gjyqtarin e korruptuar, por po përgatit mbrojtjen e radhës për pasuritë e pajustifikuara, me burime të dyshimta apo të lidhura me persona të inkriminuar, që kanë lidhje me të dhe familjarët e tij, e të gjitha faktohen lehtësisht! Berisha ka të drejtë kur thotë, se drejtësia po vepron me dy standarte, si pasojë e një sistemi të kalbur e të korruptuar, që e përdori dhe vazhdon ta përdor edhe tani.
Shqetësues mbetet fakti se si mund të drejtoi gishtin për të kapur “kriminelin”, një familje e zhytur në “borxhe” me drejtësinë dhe qytetarët shqiptarë, të cilët i vrau, grabiti, dogji e shkatërroi, përvetësoi si “pushtues” pronat e tyre, duke i ligjëruar me vendim gjykate të “lulove të drejtësisë”!
Berisha ka të drejtë, se drejtësia që kemi sot, po vepron me dy standarde, por dhe krahasimi i tij nuk ka kuptim, pasi të krahasosh një pedagoge, që në universitetet ku ka dhënë mësim respektohet si e aftë dhe korrekte dhe në rrjetet profesionale njihet si një eksperte e nivelit ndërkombëtar, me një gjyqtar që ka shfrytëzuar pushtetin e vendimeve të “çekiçit” për të përvetësuar prona dhe para në kurriz të “viktimave” të tij… është absurditet.
Nëse do të vendosim në “peshoren” e drejtësisë, krahasimi që pretendon Berisha duhet të bëhet midis: pedagoges së Universitetit të Tiranës dhe ekspertes ndërkombëtare, që ka pasur vetëm pushtetin e profesionit të saj, Linda Rama, me atë që ka pasur edhe pushtetin e babait, pra vajzës së tij pedagoge në Universitetin “Kristal”, ku diplomat bliheshin e shiteshin në kafene lagjeje, Argita Berisha. Ky i fundit, universitet i cili, u hap dhe u mbrojt nga Berisha, edhe pas mbylljes nga qeveria “Rama 1”!
Meqënëse e bija është bërë miliardere, duke qenë një administratore e një agjensie të “rëndomtë” për pasuritë e paluajtshme, ku ofron dhe konsulencë ligjore bashkë me “konsulentin dhe ndërmjetësuesin” Shkëlzen, sot ajo deklaron qindra mijëra euro të ardhura në vit nga biznesi, qira të pronave dhe kredi disa qindra mijëra euro të shlyera për banesa dhe vila luksoze, edhe punësim… Ndaj Berisha, siç duket, ka menduar të nis një strategji mbrojeje, që herët a vonë do t’i duhet ta përdor diku.
Pasuritë e ardhura nga hiçi të Argita Berishës nuk mund të justifikohen në asnjë vend të botës, vetëm në rastin kur babai Kryeministër, është “puntor” i familjes së tij… Pra “punësimi” i vetëm që ka bërë Argita në agjensinë e saj, të cilin e ofron si shërbim, është që ka vendosur babain e saj “në punë” me vëllain ndërmjetësues.
Por, së fundmi, viktimë e strategjisë së gjuhës së përgojimit dhe baltës, ideuar nga “Berisha & i biri”, është bërë dhe pedagogu Xhillari, ku një grup “studentësh” shantazhierë të peshkuar politikisht, e kanë akuzuar për mitmarrje, si e vetmja rrugë për të barazuar bëmat e vajzës së tij të “diplomave të kafenes”, e cila me aprovimin dhe mbështetjen e babait, “shkolloi dhe diplomoi” deputetë të parlamentit shqiptarë në legjislaturën e kaluar, që nuk kanë mbaruar as të mesmen.
Ky lloj sulmi, ka si qëllim të dëmtojë figurën e pedagogut, që nuk pranon të diplomojë injorancë masive, pikërisht aty ku përgatiten mësuesit e ardhshëm të brezave që vijnë. Dhe me këtë rast, mendja e sëmurë e Sali dhe Shkëlzen Berishës, që nuk dinë ku të gjejnë ngushëllim për zullumet e tyre, sulmojnë edhe Linda Bashën. Por e kanë të kotë, pasi as njëri dhe as tjetri, nuk prodhojnë mirëqenie nga para të pista, të marra nga studentë, deputetë, apo biznesmenë! Ndërsa familja Basha, ku bënë pjesë dhe Linda, gëzon pasuri të trashëguara, të deklaruara në vitin 2010 dhe të rivlerësuara nga familja e saj, pa qenë ende bashkëshortja e Kryeministrit dhe pedagogut të nderuar.
Sulmi ndaj pedagogut Xhillari, i cili nga studentët e Fakultetit të Shkencave njihet vetëm si profesori që nuk kalon “çyrykë dhe dallkaukë” si deputetët e diplomuar nga fakulteti i Argitës, është i vetmi faj i tij. Strategjia “shpif, shpif, se diçka do mbetet”, nuk mund t’i dëmtoj imazhin e një pedagogu që kryefjalë të tij ka punën, që e mbron me vitet e ushtruara dhe jo të babait kryeministër. Sulmi i paprecedentë dhe i urdhëruar politikisht, nuk e bënë dot krimin e faktuar me pamje filmike të “diplomave të kafenes”, me një mitmarrje provimesh, që nuk denoncohet dhe as faktohet nga studentët e kafeneve dhe Facebookut!
Prandaj Berisha, si intrigant i kësaj fushe, mbron me fanatizëm të tepruar “lulet dhe gjinat”, sepse i druhet ditës kur do jap llogari për t’i mbrojtur pronat, pasuritë dhe “diplomat” e tij dhe të familjes!