Thellohet skandali me Gjykatën Kushtetuese. Presidenti Ilir Meta ka nisur një sulm të paprecedentë ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Madje dje shkoi deri aty, sa për herë të parë në historinë e vendit paralajmëroi se do e padisë penalisht. Por çfarë fshihet pas kësaj lufte?
Me sulmet ndaj Dvroanit, Meta po tregon hapur se po tenton të largojë nga organet e reja të drejtësisë njerëzit që për pak e fundosën në gjyqin për aferën 700 mijë eurosh. Gazeta pak ditë më parë tregoi fakte se si Meta nisi lëvizjet për të larguar Bujar Sheshin nga KLP, me akuza të fabrikuara përmes Autoritetit të Dosjeve se kishte lidhje me Sigurimin e Shtetit. Por duket se e njëjta lojë po ndiqet dhe me Ardian Dvoranin. Ky i fundit ka qenë pjesë e trupës gjyqësore që gjykoi Metën dhe i vetmi që ka mbetur në sistemin e drejtësisë, pasi 4 të tjerët ngelën në veting dhe u dorëhoqën. Por pse Meta e sulmon Dvoranin. Ky i fundit është i vetmi që pati mendim paralel në vendim. Edhe pse votoi pro Metës, nëse do ishin marrë parasysh kërkesat e tij, presidenti aktual mund të kishte përfunduar pas hekurave.
Argumentet e Dvoranit
Gazeta ka siguruar vendimin e plotë të Gjykatës së Lartë që i dha pafajësi Metës dhe aty jepet dhe mendimi paralel i Dvroanit. Të gjithë ata që e mbajnë mend periudhën e gjyqit, e dinë se pati një luftë të madhe sa i takon ekspertizës së videos. Prokuroria kërkoi ekspertizë nga SHBA dhe Britania për të treguar se videoja është e vërtetë, por gjykata refuzoi. Por Dvorani ishte i vetmi që doli kundër. “Si gjyqtar në pakicë, në këtë vendim të ndërmjetëm kam mendimin se veprimi për caktimin e ekspertëve të huaj ishte i rregullt dhe aktet e ekspertimit të përpiluara prej tyre ishin të vlefshme dhe të pranueshme. Po kështu, provat që iu nënshtruan këtij ekspertimi dhe provat që u evidentuan si rezultat i ekspertimeve ishin të përdorshme. Ekspertët ishin persona posaçërisht të specializuar dhe me përvojë të gjatë e të spikatur në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar për informatikën ligjore dhe atë audio-video, zyrtarisht të njohur dhe angazhuar pranë autoriteteve hetimore e gjyqësore të shteteve të tyre”, ka thënë Dvorani.
Dështimi i ekspertizës
Po ashtu, gjyqtari ishte i vetmi që doli kundër ekspertëve që u caktuan nga gjykata. Pak ditë më parë, gazeta tregoi se si ekspertët që kryen analizën e videos u dendën me tendera dhe favore nga LSI kur kjo e fundit ishte në pushtet. “Sipas bindjes sime, mungesa e specializimit në fushën e informatikës ligjore e shoqëruar me mungesën e plotë të një përvoje në kryerjen e një ekspertimi informatik ligjor, i cili ka disa rregulla e standarde ndërkombëtare metodike të konsoliduara për të qenë i pranueshëm nga gjykata dhe i realizuar shkencërisht, ka sjellë si pasojë përgatitjen dhe paraqitjen e një akti ekspertimi, i cili, pavarësisht volumit dhe përpjekjeve të ekspertëve, nuk i plotëson kriteret mbi pranueshmërinë e tij nga gjykata”, ka thënë Dvorani në argumentet e tij.
Më tej ai ka hedhur dritë dhe mbi skandalin me ekspertimin e videos. Dvorani ka theksuar se në çdo vend të botës, kur bëhet një akt ekspertimi, ekspertët hartojnë një raport me shkrim duke renditur konkluzionet, por në rastin e Metës nuk ka ndodhur kështu. “Nga shqyrtimi i përmbajtjes së aktit të ekspertimit dhe aktit shtesë të përgatitur nga grupi i ekspertëve pas pyetjeve sqaruese të parashtruara nga palët dhe gjykata vërehet lehtësisht se ato, me përjashtim të përshkrimeve të veprimeve, pajisjes dhe programeve të përdorur në momentin fillestar të punës, atij të klonimit të materialit që gjendej në sendet objekt ekspertimit, nuk përmbajnë më tej dokumentimin e domosdoshëm dhe përshkrimin e hollësishëm të veprimeve të kryera nga ana e ekspertëve, të pajisjeve dhe programeve përkatëse të përdorura për kryerjen e këtyre veprimeve dhe ekzaminimin shkencor në tërësi.
Njëkohësisht, ndonëse në ndonjë pjesë të çështjeve të aktit të ekspertimit, përmendet ndonjë program informatik i përdorur, këtij ekspertimi i mungon individualizimi dhe shpjegimet sistematike të domosdoshme të programeve të përdorura konkretisht për realizimin e detyrave të ekspertimit, përfshirë edhe arsyet e përzgjedhjes së tyre për këtë qëllim”, ka thënë Dvorani. Pra të gjitha këto tregojnë qartë se lufta e Metës me Dvoranin e ka zanafillën 7 vite më parë.