Alfred Peza
Ajo që po bën më shumë zhurmë nga e gjithë çfarë Ilir Meta tha në konferencën për shtyp, pas seancës së jashtëzakonshme të Parlamentit, është shprehja e tij se shqiptarëve u mbeten tre rrugë nëse ai nuk do të jetë më Presidenti i tyre:
“Ose njerëzit të marrin armët për ndryshim, që është e papranueshme. Ose të bëhen skllevër të një regjimi njëpartiak. Ose të ikin të gjithë nga Shqipëria.
Të treja të papranueshme, por ato dy të fundit tmerrësisht të papranueshme. Është detyra e Presidentit të mbrojë këtë proces kushtetueses”.
Të gjitha mediat janë duke u marë sot, e ndoshta do ta komentojnë edhe për disa ditë të tjera këtë shprehje të Ilir Metës, për shkak se ajo mund të jetë gjithçka përveçse shprehja e një Kryetari Shteti, i cili sipas nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përfaqëson “unitetin e popullit”.
Duke qenë se nga tri opsionet, dy prej tyre Ilir Meta i cilësoi si tmerrësisht të papranueshme, u bë fare e qartë se kë inkurajonte ai. Sipas Presidentit në detyrë, ideja pak më e pranueshme mbetej që “njerëzit të marrin armët për ndryshim”.
Pikërisht ky përcaktim i ka bërë mediat të nisin edhe referencat krahasimore. Më së shumti pyetja që bëhet është nëse ajo që tha Ilir Meta sot, përputhet apo jo me një deklaratë të Sali Berishës po në këtë kontekst, e bërë më 21 prill 2016 në Parlament!
Ka shumë deklarata, qëndrime, veprime dhe sjellje politike që përputhen në kohë e hapësirë, mes Ilir Metës e Sali Berishës. E kjo, nuk është se çudit më njeri në këtë vend, e as ndërkombëtarët që ndjekin e njohin nga afër zhvillimet politiko- shoqërore të Shqipërisë së 30 viteve të fundit.
Ndaj më shumë sesa të rrekemi për të gjetur të singjashmin e Ilir Metës në politikën shqiptare, për të bërë paralele apo krahasime mes tyre, le të fokusohemi tek thelbi i problemit.
E ai nuk ka asnjë lidhje as me rrugën e parë që sygjeron Ilir Meta për shqiptarët, e aq më pak me dy rrugët e tjera të tij. Sepse askush nuk ka ndërmend që të luftojë për kolltukun e Likës, Monës, Lulit e Doktorit në këtë vend, tani në prag të vitit 2020.
Aq më pak shqiptarët kanë ndonjë merak për tu bërë skllevërit e ndokujt,- kushdo qoftë ai,- tani që janë më të lirë se kurrë më parë në historinë e tyre mijëravjeçare.
Sa për të ikurit, ky për shqiptarët përveç të tjerash, është edhe një dimension lirie që u ka munguar historikisht. Ndaj edhe për këtë nuk ka pse të presin që tua qajë hallin sot Ilir Meta, i cili ka 30 vjet që nuk ka bërë punë tjetër, veçse ka marrë vendime në emër të shqiptarëve.
Thelbi i çështjes për shqiptarët është diku tjetër nga ajo që u tregon Presidenti i tyre në ikje. Ai ka lidhje me shkaktarët e ngjarjeve të 1997 dhe ato përgjatë gjithë 2019, të cilët për të mbrojtur kolltukët e tyre ashtu si edhe 22 vjet më parë, janë sërisht gati që ti çojnë shqiptarët në një luftë të re vëllavrasëse dhe antishtet. E ata janë Ilir Meta dhe Sali Berisha.
Ndaj jo një nga tri rrugët, as rruga e katërt, por e vetmja rrugë që me sa duket u ka mbetur shqiptarëve, është që ti çojnë të dy në pension politik. Meqë ata nuk kanë ndërmend që të zbatojnë në demokraci ligjësitë e sistemit të mandateve të kufizuara dhe përkohëshmërisë, shqiptarët duhet tu tregojnë përpara se ata të duan që të thyejnë rekordin 40 vjeçar të Enver Hoxhës, se nuk janë as të përjetshëm dhe as të pazëvendësueshëm.
Për ti hapur rrugë në këtë mënyre, një etape të re në jetën politike dhe shoqërore të Shqipërsisë aktuale. Një fazë e re që kërkon edhe një klasë të re politike në opozitë, të gatshme për të marë në dorë në të ardhmen, edhe fatet e Shqipërisë Europiane. Fatet e një Shqipërie që nuk fillon dhe mbaron tek këmbët e kolltukut të katër liderëve të opozitës sonë rrugore, por tek e sotmja dhe e ardhmja e tyre.