Nga Mero Baze
I gjithë ligjërimi politik i Ilir Metës, pas humbjes së kontrollit nga vendosmëria e faktorit perëndimor për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, është përqëndruar tek akuzat, se diplomatët perëndimorë në Shqipëri janë hajdutë.
Të akuzuarit e përjetshëm të opozitës “Meta-Berisha”, janë ambasadori i SHBA dhe ambasadori i Bashkimit Europian, pamvarësisht emrit.
Ambasadori i SHBA në Shqipëri, prej vitit 1995 është gjithmonë një “armik” i Berishës, ndërsa ambasadori i BE ka dalë armik pak më vonë, kryesisht kur nisi reforma në drejtësi.
Për shkak të përballjes me ta për reformën në drejtësi, ata janë konsideruar diplomatë të korruptuar. Nuk është se kanë ndonjë akuzë konkrete, por dhe nuk u duhet të mendojnë për këtë gjë.
E kanë vendosur veten për një moment në vend të tyre dhe kanë menduar: “Me sa lekë do ta bënin këtë punë”, që po bëjnë ata si diplomat, dhe i kanë caktuar vetes një çmim të majmë imagjinar.
Dhe meqë nuk bëhen dot ambasadorë të SHBA apo BE, tani lekët që ëndërrojnë për vete, ua kanë caktuar atyre, dhe i kanë shpallur të korruptuar.
Kjo listë tani po zgjerohet. Duket se dhe ambasadori i Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, dhe gjithkush që ka përshëndetur zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi, është shpallur diplomat i korruptuar.
Në daljen e tij të fundit publike, presidenti i Shqipërisë, ishte kthyer në “kryeprokuror” diplomatësh perëndimorë, dhe fliste vetëm për lekë. Kjo fjalë i ngjallte një tërbim dhe çekuilibër të paparë, kur shqiptonte se këto lekë i marrin diplomatë perëndimorë.
I dukeshin si lekë të ikura nga duart, më shumë se sa ishte duke vajtuar integritetin e shpikur për diplomatët perëndimorë në Shqipëri.
Për fatin tonë të mirë, Perëndimi nuk e konsideron më Ilir Metën një institucion përfaqësues në Shqipëri dhe nuk e merr seriozisht.
Nëse do ta merrte seriozisht, sot SHBA dhe Bashkimi Europian, por dhe Gjermania, Italia e Britania e Madhe, duhet të paraqisnin notë proteste pranë Qeverisë shqiptare dhe ndoshta të rrezikonin të ardhmen e raporteve me Shqipërinë.
Në fakt, ndodh e kundërta. Sa më shumë presidenti ynë lëshohet si qen i tërbuar ndaj Perëndimit dhe përfaqësuesve të Perëndimit në Shqipëri, aq më shumë Perëndimi po i qëndron afër Shqipërisë, për ta kaluar këtë krizë, e cila është bërë e rrezikshme, për shkak se fati i drejtësisë në Shqipëri, tashmë është lidhur dhe me fatin e Ilir Metës, dhe është në konflikt interesi me të.
Sa më shpejt të bëhet drejtësia, sa më parë të ngrihet Gjykata Kushtetuese, sa më parë Shqipëria të përmbushë hallkat e mbetura bosh në reformën në drejtësi, aq më pak shpresë ka për Ilir Metën si president dhe qytetar i lirë në këtë vend.
Dhe kjo e prodhon gjithë këtë trazirë.
Ndaj merreni lehtë. Ilir Meta me këtë gjuhë nuk është Sali Berisha i vitit 1997, por pak a shumë Gruevski i vitit 2017.
Sali Berisha i vitit 1997, me gjuhën e egër ndaj Perëndimit, u muar seriozisht, pasi përfaqësonte një pushtet kundër Perëndimit, dhe e mori përgjigjen.
Meta ngjan me Gruevksin e vitit 2017, kur ishte në këto pozita me Perëndimin, para arratisjes, por që nuk merrej më seriozisht, as kur kërcënonte, as kur çonte banditët në Parlament të përgjaknin demokracinë.
Ky është një individ i dëshpëruar që ka kapur një vulë dhe një zyrë, dhe kërkon të luftojë si Don Kishot kundër Perëndimit, për hallin e tij.
Thjesht ja ka hipur kalit mbrapsht dhe askush nuk e merr seriozisht, përveç Sanço Pançove në zyrën e vet.