Ditën e sotme u mbajt në Kuvend Konferenca e Kryetarëve për te diskutuar pikërisht për atë që po ndodh me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Drafti i përfunduar do të hidhet nesër në votim.
Në rezolutë thuhet se Kuvendi e vlerëson dekretin e Presidentit për të emëruar Marsida Xhaferllarin në Gjykatën Kushtetuese si një akt absolutisht të pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.
“Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të zbatojnë me përgjegjshmëri dhe përgjegjësi detyrat e tyre dhe të mos zbatojnë Dekretin e Presidentit nr.11350, datë 13.11.2019.
Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Komisionit hetimor për shqyrtimin e kërkesës së 55 deputetëve të Kuvendit pë shkarkimin e Presidentit të Republikës të përmbyllë punën e tij brenda afatit të caktuar në vendimin e Kuvendit datë 03.10.2019 dhe të marrë në konsideratë gjatë punës së tij edhe këtë situatë të krijuar nga Presidenti në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të ushtrojë detyrat e tij kushtetuese në lidhje me fillimin e detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji.
Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të tjera, që në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi, të zbatojnë me përgjegjësi detyrat për mundësimin e fillimit të detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji.
Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese.
Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.”