Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësisë Ardian Dvorani si dhe anëtarja Arta Marku kanë shprehur një mendim ndryshe sa i takon vlerësimit lidhur me integritetin moral dhe etik të Marsida Xhaferllarit, kandidate për anëtare e Gjykatës Kushtetuese, sot e dekretuar nga Presidenti Ilir Meta.
Nisur nga në raport i Drejtorisë për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, i cili ngre dyshime për përfshirje të kandidates në një praktikë korruptive, Arta Marku dhe Ardian Dvorani janë shprehur se Marsida Xhaferllari nuk gëzon integritetin e duhur moral dhe etik. Për rrjedhojë, Marku dhe Dvorani, në vendimin e KED të datës 9 tetor 2019, e kanë vlerësuar Xhaferllarin për këtë kriter me zero pikë.
“Në cilësinë e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vlerësojmë se i përket kategorisë së kritereve të vlerësimit të përfshirë në ‘meritat’ morale, konkretisht lidhur me integritetin etik dhe moral, si edhe në reputacionin që gëzon kandidati në shoqëri dhe midis kolegëve, pavarësisht aftësive profesionale, nisur nga të dhënat që rezultojnë nga procesi i verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturës, kandidatja Marsida Xhaferllari nuk i përmbush elementët mbi vlerat themelore të gjyqtarit dhe pritshmërinë e publikut mbi integritetin etik dhe reputacionin që duhet të gëzojë personi, i cili kandidohet për ushtrimin e funksionit kushtetues të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, në lidhje me këto dy kritere vlerësuese, kemi vlerësuar dhe pikëzuar këtë kandidate me zero pikë”, thuhet në vendim.
Por, një mendim ndryshe kanë shprehur anëtarët e KED, Margarita Buhali dhe Fatri Islamaj, të cilët e kanë vlerësuar me pikë maksimale znj. Xhaferllari për kriterin moral dhe reputacionin.
“Në anëtarët e KED Margarita Buhali dhe Fatri Islamaj keni votuar për një vlerësim të ndryshëm të kriterit të meritave morale, konkretisht të integritetit etik, moral dhe reputacionit, që gëzon në shoqëri, duke i dhënë një vlerësim maksimal në të dy komponentët. I kemi dhënë vlerësimin me 18 pikë për integritetin etik dhe moral, si dhe 10 pikë për reputacionin… Lidhur me informacionin e dërguar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar që i referohet viti 2002, lidhur me figurën morale të kandidates, shumica e Këshillit, vlerësoi se nuk mund të konsiderohet si provë, që cënon integritetin moral të kandidates”, thuhet në arsyetimin e tyre.
Si pasojë e përplasjes mes anëtarëve, në vlerësimin e përgjithshëm me pikë, kandidatja Xhaferllari është renditur e fundit në listën që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka dërguar Presidentit Ilir Meta, për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese.