Përveç incidenteve ditën e sotme te zona e Astirit gjatë aksionit të IKMT-së kanë tërhequr vëmendjen momentet e dyshimta të lëvizjes së banorëve. Rasti konkret bën fjalë për njërën nga banoret, banesa e së cilës u prek nga projekti i Unazës së Re, Lindita Protoduari, e cila është edhe anëtare e këshillit kombëtar të PD-së.
Gruaja pas incidenteve që ndodhën në mëngjes rreth orës 06:00 (akuzon policinë për dhunë dhe hedhjen e gazit lotsjellës) vijoi që të protestonte deri në orën 10:00, kur dha edhe një prononcim për mediat duke deklaruar se ishte e pakënaqur me dëmshpërblimin prej 130 milionë lekë të vjetra (mbi 100 mijë euro) nga qeveria për shtëpinë. Këtë shumë ajo e cilësoi si tallje nga shteti.
Ndërkohë që gjendja e saj shëndetësore dukej mjaft e mirë, papritur sëmuret, në momentin që u lajmërua vizita e Lulzim Bashës në spitalin e Traumës për të vizituar të plagosurit, Lindita Protoduari la protestën dhe në 10:45 arriti në spitalin e Traumës.
Rreth orës 12:30 lideri demokrat shkon në spitalin e Traumës dhe mes banorëve që takon dhe interesohet për gjendjen e tyre është pikërisht edhe Lindita Protoduari. Një gjë e tillë faktohet nga pamjet që vetë zyra e shtypit të Partisë Demokratike shpërndau për mediat pas takimit të kryedemokratit te ‘Trauma’.
Lindita Protoduari i tregoi liderit demokrat tmerrin dhe dhunën që sipas saj kishin kaluar nga policia. “Thyen xhamat atje, po fluturonin nga tarracat e shtëpive, gratë, plakat nga 80-vjeçe qanin lebetitin, o Zot. 50 veta policia, cfarë do të bënim ne, aq ishim 250 banorë, të gjithë natën e kishim gdhirë” tha gruaja, ndërsa Basha e këshilloi ‘Bëhu më mirë se të tjerat…’.
Ndërkohë që si për ‘habi’, e dyta herë brenda ditës nga i njëjti person, Protoduari lë shtratin e spitalit të Traumës rreth orës 13:00, menjëherë pasi Lulzim Basha përfundoi vizitën. Lindita Protoduari doli nga ambientet e spitalit së bashku me Mahmut Imollari, të cilin ish-deputetja demokrate e shpalli të vdekur, por që fatmirësisht është shëndoshë e mirë dhe jashtë rrezikut për jetën.