Sot për Jarin, ashtu si për shumë vetë, ishte një ditë e trishtuar.
Shiu i ftohtë i Tiranës, përplasja e banorëve të Astirit me policinë dhe prishja e shtëpive, e kanë ligështuar atë.
Në këto kushte, mendoi t’i dërgonte një letër inkurajuese Balliut Junior, që udhëhoqi për një vit këtë luftë:
“Të dashur demokratë,
Jari ju sqaron!
Sot e gjithë vëmendja ime dhe mendimet e mia shkojnë për Klevesin, njeriun i cili udhëhoqi për një vit protestat te Unaza.
Ai sot është i vetmi njeri i fituar nga kjo betejë.
Njerëzit humbën shtëpitë, të tjerë bizneset, të tjerë dhe u rrahën dhe torturuan, por ai fitoi shumë.
Së pari, fitoi famë si deputet, dhe kjo i ka shtuar suksesin tek femrat, derisa hoqi dorë dhe nga femra shumë të njohura ekranesh.
Së dyti, i dha atij shansin që nuk e kishte ëndërruar në jetë.
Ai i ka pasur tërë jetën zët librat dhe me dhunë shkonte në shkollë.
Por protesta e Unazës e bëri atë shkrimtar dhe ai arriti më në fund ta lexojë një libër deri në fund.
Libri i tij për Unazën do frymëzojë PD-në dhe brezat që vijnë për beteja të tjera si kjo, të cilat do ngelen në histori si revolucione që edhe pse nuk prodhojnë pushtet, prodhojnë pasuri kulturore, si libri i tij.
Së treti, ai ka siguruar me këtë betejë, të drejtën për të qenë deputet i Unazës së Re.
Në zgjedhjet e ardhshme ai nuk ka për të shkuar më në Pogradec, por në Tiranë, tek Unaza e Re, për të qenë lider i përjetshëm i tyre.
Në këtë pike, ai del sërish i fituar.
Ndaj në këtë ditë të trishtuar, porteti i tij është i vetmi ngushëllim që e gjithë kjo betejë e pati një fitim, dhe kjo lidhet me Balliun Junior.
I juaji, Jari!”