Politikanët e korruptuar duket se kanë dështuar në tentativën e tyre për të frenuar ngritjen e SPAK dhe BKH. Pavarësisht sulmeve që po i bëhen reformës në drejtësi nga dita në ditë, brenda muajit nëntor Prokuroria Speciale Antikorrupsion do të jetë gati. Në mbledhjen e datës 25 tetor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që SPAK të fillojë punë me 8 prokurorë, por pa dhënë shumë detaje.
Gazeta ka siguruar procesverbalin e kësaj mbledhje, ku bëhen të qarta procedurat për të shkuar tek lufta ndaj korrupsionit. Sipas planeve të KLP, emërimi i 8 prokurorëve të SPAK do të bëhet brenda 25 nëntorit. Detajet i ka dhënë vetë kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi në mbledhjen e datës 25 tetor. “Ne sot do të marrim një vendim që do të plotësojmë organikën me aq prokurorë që kemi në dispozicion. Në këtë kuptim ne si KLP i japim vetes atributin që të plotësojmë këtë organik për të cilën vendos dikush tjetër. Propozimi im, i cili ngjan me atë të zotit Balla është ky: Ne do të fillojmë me emërimin e 8 prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. E thënë ndryshe, është momenti që të fillojmë të mendojmë edhe për emërimin e drejtuesit të SPAK. Por nga ana tjetër duhet të themi se vendimi ynë i emërimit që do të merret sipas këtij kalendari të propozuar nga Komisioni në datën 25 nëntor.
Pra, në datën 25 nëntor ne marrim vendim për emërimin e 8 prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme. Thënë më shkurt në datën 25 nëntor kur ne emërojmë 8 prokurorët e SPAK, marrim edhe shprehjen e interesit për drejtuesin e SPAK, për të cilin do presim dy javë dhe javën e tretë e emërojmë”, deklaroi Ibrahimi. Pra, përmes kësaj lëvizje KLP synon që brenda nëntorit ta ketë gati Prokurorinë Speciale Antikorrupsion. Por kjo mbledhje nuk ka kaluar pa debate. Mes anëtarëve, veçanërisht Bujar Sheshit dhe Nurihan Seitit ka pasur debate të forta sa i takon emërimit të anëtarëve të SPAK dhe kreut të Prokurorisë Speciale.
Procedurat që do ndiqen për kryeprokurorin e SPAK
Por interesant është fakti se paralelisht me emërimin e 8 prokurorëve të SPAK, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka diskutuar edhe procedurat që do të ndiqen për kreun e Prokurorisë Speciale. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e 25 tetorit, kreu i KLP Gent Ibrahimi zbuloi se pas emërimit të 8 prokurorëve do të hapet edhe gara për kryeprokurorin e SPAK, ndërsa theksoi se koha deri në zgjedhjen e tij do të jetë 3 javë. Por duke qenë se kreu i SPAK do të zgjidhet mes tetë prokurorëve që janë emëruar në Prokurorinë Speciale, Këshilli i Larët i Prokurorisë, theksoi zoti Ibrahimi, do ta ketë më të lehtë për të verifikuar dosjet e kandidatëve që kanë shprehur interes dhe kjo sipas tij, do një javë kohë.
“Pikërisht në datën 25 nëntor ne themi që ky vendim hyn në fuqi pas tre javësh. Gjatë këtyre 3 javëve ne jemi në gjendje ta konsumojmë procedurën e rregullt e emërimin e drejtuesit të SPAK. Sepse me ligjin për statusin u jepet dy javë kohë kandidatëve që garojnë për këtë pozicion për të sjellë shprehjen e interesit. Dhe pastaj jemi të detyruar të presim këto dy javë, ndërsa punën tonë mendojmë që mund ta kryejmë brenda javës. Ne si KLP nuk kemi për të diskutuar dhe shqyrtuar dosje, ne thjesht nga letra e motivimit që do të na sjellin kandidatët, do të përpiqem të kuptojmë nëse ata kanë eksperiencë në ndjekjen e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëse kanë eksperiencë në organizim dhe drejtim, etj. Thënë më shkurt në datën 25 nëntor kur ne emërojmë 8 prokurorët e SPAK, marrim edhe shprehjen e interesit për drejtuesin e SPAK, për të cilin do presim dy javë dhe javën e tretë e emërojmë”, nënvizoi Ibrahimi. Pra, gjasat janë që edhe kryeprokurori i SPAK të zgjidhet më shpejt se parashikimi, pasi KLP po mendon që propozimin për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme ta bëjë para se të hapet gara.
Thënë më troç, SPAK pritet të nisë punë fuqishëm në muajin dhjetor, duke nisur gjuetinë ndaj të korruptuarve. Madje, ajo që e vërteton se SPAK nuk do të ketë asnjë lloj pengesë për të luftuar korrupsionin është fakti se gjithë administrata e Prokurorisë së Krimeve të Rënda do të jetë në shërbim të SPAK dhe se nuk ka asnjë problem në këtë periudhë tranzicioni, pasi qeveria ka marrë një vendim të kësaj natyre, duke i ardhur në ndihmë Prokurorisë Speciale. /Rigels Seliman