Nuk kanë fund skandalet e presidenti Ilir Meta. Gjatë kohës që ai ishte në pushtet krah Sali Berishës i plasi në dorë afera me Dritan Priftin, i cili falë një video solli hetime dhe më pas dërgimin për gjykim të Metës. Në kuadër të fakteve që gazeta po sjell prej disa ditësh nga vendimi i Gjykatës së Lartë që nxori të pafajshëm Ilir Metën, sot po tregojmë detaje të një tjetër afere.
E teksa e gjithë vëmendja e opinionit publik ishte përqendruar te 700 mijë eurot që do të fitoheshin nga ndritmi i HEC-eve Egnatia-Shushicë, në video flitet dhe për një pazar tjetër. Bëhet fjalë për shitjen e 30 mijë ton nafte të Albpetrol. Prokuroria grumbulloi prova dhe fakte, duke pretenduar se Meta po ndërhynte që kjo naftë të fitohej nga një kompani e caktuar dhe sipas dëshmisë së Dritan Priftit, do fitonte 1 milionë dollarë, të cilat do ndaheshin mes tyre. “Ky i fundit (Meta) i ka propozuar të favorizojë në garën koncesionare që zhvillohej për ndërtimin e hidrocentraleve Egnatia-Shushicë, Bashkimin e Përkohshëm të Shoqërive… sh.p.k., për një investim me një vlerë rreth 65 milionë euro, duke i premtuar si shpërblim të kundërligjshëm shumën prej 700 mijë euro dhe 7% të aksioneve, si dhe ndërhyrjen për të favorizuar Shoqërinë… sh.a. në ankandin për “Shitje të një sasie prej 30 mijë ton naftë bruto” të prodhuar nga Shoqëria “Albpetrol” sh.a. Për këtë të fundit, sipas dëshmitarit, nga i pandehuri Ilir Meta i është ofruar një përfitim i paligjshëm deri në 1.000.000 dollarë që do të ndaheshin mes tyre”, thuhet në argumentet e prokurorisë.
Dëshmia
Në dosjen e dorëzuar në gjykatë, prokurori Bujar Sheshi ka dorëzuar dhe një dëshmi të Dritan Priftit, i cili ka rrëfyer skandalin në fjalë. “Zoti Meta, gjatë takimit në zyrën time, më kujtoi që të zbatoja ato që kishim biseduar në lidhje me ankandin e naftës, në lidhje me fitimin e këtij ankandi nga miku i tij… Unë, me sa mbaj mend, sepse ai kërkonte anulimin e ankandit në atë periudhë, sepse mendohej që zoti… nuk ishte i sigurt për fitoren e këtij ankandi dhe kërkonte shtyrjen e ankandit dhe unë për të mos qenë kundërshtues dhe për mos lënë hapësira që ai ta kuptonte që ishte duke u regjistruar, thashë, po do ta bëj, ai nguli këmbë, tha: Mbaroje pse nuk e mbaron? Anuloje, pse nuk e anulon? P
ër ankandin e naftës, gjatë bisedës në zyrën time, nuk kam pasur ndonjë ofertë prej zotit Meta, por dua të sqaroj që kjo bisedë mund të jetë bërë me dhjetëra herë dhe ofertën prej zotit Meta e kam pasur një herë në zyrën e tij në Ministrinë e Jashtme dhe një herë gjatë një dreke në Hotel Rogner. Është ofruar 1 milion dollarë për t’u ndarë në fakt mes meje dhe zotit Meta, jo drejtpërdrejt për mua nga kjo punë”, tha ai. Ashtu si me HEC-in edhe në këtë rast prokuroria ka arritur në përfundimin se dëshmia e Priftit është e saktë.
Kjo bazohet në tabulatet telefonike ku Meta dhe biznesmeni që do fitonte ankandin kanë folur me dhjetra herë. “Vërtetësinë e dëshmisë së Dritan Priftit, në lidhje me këtë moment të akuzës, e konfirmon edhe SMS-ja e dërguar me “forward” nga biznesmeni atij vetë. Procesverbali i këqyrjes dhe marrjes si provë të kësaj SMS-je u administrua si e tillë nga gjykata. Jo vetëm përmbajtja e mesazhit, por edhe mohimi që i bëri këtij fakti biznesmeni…., tregon edhe një herë se sa pak e besueshme është dëshmia e tij”, ka thënë prokurori. /Kliti Topalli