Pak para samitit të Ohrit që do të mbahet më 9 nëntor, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama dhe homologun e tij maqedonas Zoran Zaev. Ka qenë vet Vuçiç që ka ndarë detaje nga telefonata që ka pasur me dy liderët. Ai thekson se ka pasur një bisedë të shkëlqyer me Ramën dhe Zaev.
Mes te tjerash presidenti serb tha se bisedimet me Shqipërinë e Maqedonine e Veriut do të vazhdojnë.
“Një bisedë e shkëlqyer me Edi Ramën dhe Zoran Zaevin përpara samitit të rëndësishëm në Ohër më 9 nëntor”, shkroi Vuçiç në profilin e tij në Instagram.
Kujtojmë se samiti i parë mes tre liderëve u mbajt në Novi Sad të Serbisë, më 10 tetor, ku u nënshkrua një deklaratë e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve. Vuçiç në konferencën e përbashkët me Ramën dhe Zaev tha se synim i kësaj nisme është që deri në fund të vitit 2021 të krijohen kushtet që qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të kalojnë kufijtë e tri vendeve me letër-njoftime./BW