Një politikan në Itali u arrestua nga autoritetet e antimafies, pasi shfrytëzonte vizitat institucionale në burgje për të përcjellë mesazhe e urdhra të bosave të mafias Cosa Nostra me referim të drejtpërdrejtë me kryebosin e shpallur në kërkim Matteo Messina Denaro.
Me urdhër të Prokurorisë së Palermos, Antimafia italiane ka vënë në pranga 5 persona, mes të cilëve edhe politikani i njohur i krahut radikal Antonello Nicosia. Ky i fundit ishte pjesë e partisë politike “Radikalët italianë”, shkruajnë mediat e vendit fqinj.
Ai akuzohet si ndërmjetës mes mafias siçiliane Cosa Nostra e të burgosurve mafiozë në burgje. Në lidhje të ngushtë me klanin mafioz të familjes Sciacca, politikani italian shfrytëzonte vizitat institucionale në burgje për verifikimin e kushteve të të burgosurve për të përcjellë mesazhe e urdhra të bosëve të Cosa Nostras me referim kryesor bosin në kërkim, Matteo Messina Denaro.
Partia “Radikalët italianë” ka pasur një divizë mjaft të qartë për të mbrojtur të drejtat e të burgosurve në shtetin italian. Politikani i arrestuar Antonello Nicosia, ishte mjaft aktiv në këtë drejtim e është anëtar i Komitetit Kombëtar të kësaj partie. Nën shoqërimin e parlamentares Giuseppina Occhionero, e cila nuk ishte në dijeni të fakteve, ka takuar mafiozët më të rrezikshëm që vuajnë masën e dënimit në burgjet e sigurisë së lartë në Itali.
Mirëpo, antimafia italiane ka zbuluar mesazhe skandaloze, ku politikani i arrestuar, mafiozin e shpallur në kërkim Matteo Messina Denaro e quante “kryeministër”, ndërsa për gjykatësin e vrarë Giovanni Falcone, thoshte si ai ka ndërruar jetë “aksidentalisht”. Ky operacion antimafia është përshëndetur nga Ministri i Jashtëm italian e lideri i 5 Yjeve Luigi Di Maio. Pikërisht De Maio tha se është shokuese që një politikan fyen personazhë kaq të njohur që kanë luftuar krimin si Falcone e Borsellino dhe i thotë “kryeministër” një mafiozi në kërkim si Denaro.