Besnik Muçi i cili u dekretua pak ditë parë nga Presidenti Ilir Meta si anëtar i Gjykatës Kushtetuese nuk i ka mbyllur hesapet ende me Vettingun. Duket se Muçi do të jetë karta e djegur e Presidentit, pasi Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e tij.
Muçi u konfirmua në detyrë nga KPK në gusht 2018, pas hetimit administrativ nga treshja e kryesuar nga Lulzim Hamitaj me relator Olsi Komiçin dhe anëtare Brunilda Bekteshin, e cila arriti në përfundimin se ai mund të konfirmohej, megjithëse u gjetën disa pasaktësi në deklarimin e pasurive. Por, Institucioni i Komisionerëve Publikë (IKP) e apeloi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Sipas Komisionerit Publik, vendimi i KPK nuk është i drejtë, pasi subjekti i rivlerësimit nuk justifikon burimet financiare të shpenzimeve dhe kursimeve. Në këto rrethana Muçi disa seanca radhazi po përballet me Komisionerin Publik në KPA, në pamundësi për të justifikuar pasurinë, për të cilën KPA, thotë se është e dyshimtë.
Debati në KPA Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 16.10.2019, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.33/2018, datë 12.11.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 58, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Besnik Muçi.
Gjatë kësaj seance palët debatuan lidhur me vlerën provuese të një dokumentacioni të deklasifikuar, i cili u vendos të merrej si provë në seancën paraardhëse. Trupi gjykues, pasi i bëri disa pyetje subjektit të rivlerësimit, vendosi t’i kërkojë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë si dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, informacione shtesë, të cilat i konsideroi të nevojshme për çështjen.
Gjithashtu KPA ka kërkuar nga DSIK, deklasifikimin e një materiali sekret shtetëror lidhur me blerjen e një apartamenti dhe një makine. Informacioni shtesë ka të bëjë me apartamentin e tij, pasi pronari nga i cili e ka blerë, është dënuar për moskallëzim krimi.
Dyshohet se Muçi makinën e ka blerë nga person që ka qenë i proceduar për drejtim të makinës në gjendje të dehur dhe kundërshtim të forcave të Policisë. Të hënën ish Prokurori i Krimeve të Rënda dhe i sapozgjedhuri anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi do të dalë sërish para KPA, për tu njohur me hetimet e mëtejshme rreth tij./CNA.al