Mazhoranca qeverisëse vijon të ketë bindjen se presidenti Ilir Meta shkeli Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Gjatë një prononcimi për mediat, deputeti socialist, Ulsi Manja, njëherësh kryetari i komisionit hetimor që po heton veprimtarinë e presidentit Meta para dhe pas 30 qershorit bëri me dije se raporti i Komisionit të Venecias do të diskutohet në mbledhjen e radhës që do të jetë javën e ardhshme. “Nuk ka ngecur puna. Komisioni hetimor do të mblidhet për të përfunduar sipas planit të hetimit punën e vet.
Duke marrë parasysh dhe axhendën e anëtarëve të komisionit hetimor besoj se do mblidhemi javën e parë të nëntorit”, deklaroi ai. Më tej, deputeti Manja theksoi se përveç raportit, komisioni hetimor do administrojë duke zbatuar me korrektësi kërkesat e ligjit për informacionin e klasifikuar si sekret shtetëror edhe materialin që është vënë në dispozicion nga kreu i shtetit, që sipas tij, i ka shërbyer si bazë për zhdekretimin e datë së zgjedhjeve të 30 qershorit. “Do ketë dhe një diskutim nga anëtarët lidhur me përmbajtjen e të gjitha provave, do merret në kontekst me atë që tha presidenti në seancë dëgjimore për të arritur në një konkluzion të saktë”, u shpreh ai. Ndërkohë, deputeti Manja deklaroi se Komisioni i Posaçëm Hetimor është në hapat e fundit dhe se brenda nëntorit ky komision do të ketë përfunduar veprimtarinë e tij.
“Sipas vendimit të Kuvendit, Komisioni do duhet ta përfundojë hetimin e tij para datës 8 tetor, por në vlerësimin tim, komisioni është në hapat e fundit të punës së tij. Besoj që veprimtaria dhe raporti për seancën plenare do mbyllet brenda muajit nëntor”, tha ai. Por çfarë ka konstatuar komisioni hetimor nga gjithë materialet e mbledhura deri më tani për hartimin e raportit përfundimtar mbi shkarkimin e presidentit Meta për zhdekretimin e 30 qershorit? Në përgjigjen e tij, kryetari i komisionit hetimor, Ulsi Manja shprehu bindjen se presidenti Meta shkeli Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
“Presidenti vetë e ka thënë që Kushtetuta më jep të drejtën të caktoj datën e zgjedhjeve, por kur argumenton anulimin e datës së zgjedhjeve niset nga konsiderata Kushtetuese. Nuk ka një bazë të qartë kushtetuese”, nënvizoi deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja.