Në kohën kur qytetarët shqiptarë janë sy e vesh nga drejtësia… por dhe ndërkombëtarët të cilët janë financuesi kryesor, historia për fatin tonë të keq nis të përsëritet, me të njëjtin skenar, e vënë në skenë nga të njëjtët aktorë, por se dhunuesit e vërtetë duartorokiten si heronj, ndërsa “viktima” anatemohet si kriminelë.
Nuk ka kaluar kohë e gjatë, sa të keni harruar thirrjet për dhunë të Lulzim Bashës për të tërhequr zyrtarë zvarrë nga zyrat… apo të Sali Berishës për të armatosur popullin… ku kryeprokurori Adriatik Llalla nuk e vuri “ujin në zjarr”. Në një shoqëri ku dhuna përligjet në të gjithë ekranet e televizioneve dhe autorët ngelen të pandëshkuar, modeli i tyre do jetë modeli i atyre… që i udhëheqin.
Nëse kryeprokurorja e sotme Arta Marku, pretendon se thirrjet e Bashës, Berishës, Kryemadhit dhe Vasilit… etj, për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues të një shteti, apo “mosbindjes” sikurse e quajnë ata, nuk janë të dënueshme në kodin penal, atëherë lironi kuksianët.
Nëse pretendoni se po bëni drejtësinë dhe nuk jeni shërbëtor të përvuajtur të krimit dhe kriminelëve, mos e zbatoni drejtësi me dy standarte: politikanë të “nënës” dhe qytetarë të “njerkës”. Pra nëse arrestoni kuksianët, me vrap prej “zhelesh” arrestoni Bashën, Berishën, Kryemadhin dhe Vasilin!/Tellalli