Kryeministri Rama ka prezantuar në ERTV një tjetër histori suskesi nga bota e sipërmarrjeve të huaja në vend, që sipas tij, ka treguar një rritje dhe zhvillim të konsiderueshëm në vendin tonë.
Zëvendësministrja e Financave, Belinda Ikonomi, ka prezantuar në një intervistë për ERTV, kompaninë “ReWork”, një investim me kapital Italian, e veçantë për vendin tonë, pasi prodhon materiale elektronike si çipat, për mjetet elektronike si kompjuterat, pajisje video apo telefonat.
Ikonomi theksoi se prej vitit 2016, kjo kompani është rritur dhe zhvilluar falë asistencës së AIDA-s, Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve dhe sot ka arritur në nivelin që eksporton produktet e veta dhe eksportet sipas saj, janë një element mjaft i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
Drejtori i prodhimit të kompanisë, Shtilian Peza, shpjegoi për ERTV se si u rrit kompania italiane në Shqipëri.
“Në hapat e parë kishim vetëm 15 punëtorë, tani kemi 52 punëtore dhe pretendojmë që deri në 2020 të arrijmë në 100 punëtorë. Ndërkohë që sot punojmë manualisht, pretendojmë që deri në vitin 2020 të arrijmë në punën atutomatike të këtyre qarqeve të shtypura, që të mos montojmë komponentë me dorë. Në vitin e ardhshëm do kemi një projekt me tre linja robotike ku montohen qarqe të shtypur nëpërmjet makinerive. Produktet tona shkojnë te kompania mëmë që i eksporton në vendet europiane”, tha Peza.
Sipas Zëvendësminsitres, tregesit e investimeve të huaja në vend shfaqin një ecuri pozitive. Vetëm në 6 muajt e parë të vitit 2019, vlera e investimeve të huaja në vend arriti në 535 milionë euro.
Flukset më të larta të investimeve të huaja në vendin tonë janë në fushën e energjitikës, hidrokarbureve dhe në fushën e shërbimit financiar. Sa i takon origjinës së këtyre investimve, vendin kryesor e zë Zvicra, Hollanda dhe Italia.
“Por për ne nuk kanë rëndësi vetëm flukset e larta. Për ne kanë rëndësi edhe sektorë të tjerë. Po vëmë re në një analizë që ka një rritje të flukseve nga Bullgaria, nga Maqedonia, nga Hollanda, nga Mbretëria e Bashkuar. Një trend pozitiv kemi në sektorë si ndërtim, në tregti, në transport dhe magazinim. Pra sektorë që pavarësisht se në vlerë nuk janë përqindja më e madhe, e kanë një rritje”, tha Ikonomi.