Pyetja që sot shumë njerëz e bëjnë është: Përse këto përgjime të siguruara në vitin 2016, u bënë publike vetëm pas 3 vitesh?
Dhe si mundet të nisin hetimet për një çështje që nuk ka asnjë të arrestuar në flagrancë.
Përgjatë 2 viteve të fundit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, artikulonte përgjimet e Dibrës, deri kur u bë publik në media, pak përpara zgjedhjeve lokale të 2019. Pra, gati 3 vite pas përgjimeve.
“Ka pas mungesë kohezioni qoftë edhe politik, mungesë kohezioni është kjo se nuk pati reagime të forta politike në reagim të kësaj situate pasi dosja 184 është hapur që në shtator 2016 dhe PD ka pasur info minimale për përgjimet që janë shfaqur 3 vjet më vonë”, tregon Sherefedin Shehu, ish – kandidat i PD-së në Dibër.
“Këto përgjime u morën nga PD e ju dhanë një media të huaj, kjo është e verifikueshme, shumë eksponentë edhe të medias së PD kishin një vit që e thonin”, thotë Damian Gjiknuri.
“Ne kishim informacion jo nga prokuroria shqiptare, jo nga burime shqiptare, ne kishim informacion pikërisht nga burimet jashtëe, se nga kush e si, këtë nuk jam i autorizuar ta them”, thotë Edi Paloka.
Tani do të tregojmë, sesi nisën këto përgjime, si përfunduan në media dhe çfarë pritet të ndodh me dosjen. Këto janë detaje ekskluzive, të pasqaruara deri më sot.
E gjithë saga nis në 2 shtator, kur kordinatori i Partisë Demokratike, Edi Paloka kallëzon socialistët për blerje të votash. Këtë kallëzim, Paloka duhet ta bënte në Prokurorinë Dibër, por ai shkoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ndryshoi akuzën.
Dhe kjo e ka një arsye.
Për blerje votash si dhe kanosje të votuesve, vepra penale që do të rëndonte mbi socialistët, ishte Neni 328 dhe Neni 329 i Kodit Penal, që parashikon deri në 2 vite burg. Pra, kundravajtja penale, nuk mund të ishte objekt i Krimeve të Rënda, dhe për rrjedhojë nuk mund të nisnin përgjimet ndaj personave të implikuar në blerje votash.
Por, Partia Demokratike përpiloi një kallëzim për grup të strukturuar kriminal për Partinë Socialiste, njësoj si bandat e Shkodrës apo të Vlorës.
“Do duhej të ishte regjistruar në prokurorinë e rrethit edhe pse në pikëpamje të marrëdhënies që mbron zgjedhje të lira e të ndershme demokratike, këto zgjedhje për sa adreson ajo dosje janë lokale”, tregon Ardian Visha, Avokat.
Vetëm kjo mënyrë e kallëzimit për grup të strukturuar kriminal, mund ti hapte rrugë në Prokurorinë e Krimeve të rënda, nisjes së përgjimeve për shtabin electoral të Partisë Socialiste.
Kështu, në datën 2 shtator të 2016, Paloka dorëzon një listë me të gjithë numrat që duhej përgjuar. Për rreth 2 muaj, i gjithë shtabi elektoral i Partisë Socialiste futen në përgjim.
“Nuk mundet dot të vihet në përgjim askush përveçse me një dyshim të abuzuar në provë, minimalisht duhet ketë një provë të një aktiviteti kriminal të kryer apo në kryerje e sipër”, tregon Ardian Visha, Avokat.
Tani le të kthemi tek hetimet e kësaj dosje. Në fund të muajit nëntor 2016, kjo dosje bie në duart e prokurorit Besim Hajdarmataj. Nëse do të marrim shembullin e Kosovës, ku u arrestuan në flagrancë personat që po blinin vota, në rastin e Dibrës nuk ndodhi kjo gjë.
Hajdarmataj e mbajti dosjen për dy vite, deri në shtator të vitit 2018, pa kryer asnjë hetim. Vetëm 19 shtator 2018, dy ditë përpara largimit nga Krimet e Rënda, ai vendos nën hetim disa subjekte lokale të Partisë Socialiste, në Dibër.
Gjatë kësaj periudhe, në datën 20 Janar 2017, ka nisur tanskriptimi i përgjimeve të Dosjes 184, dhe ka vazhduar deri në shtator të 2018.
Më pas, Hajdarmataj transferohet në Pogradec, dhe dosjen ia dorëzon me vetëm një fashikull, prokurorit të Krimeve të Rënda, Klodian Brahos. Ky i fundit, nis hetimet, dhe përpilon plot 15 fashikuj për ngjarjen në fjalë.
Skandali thellohet më tej, pasi në kohën kur Hajdarmataj u largua nga Krimet e Rënda, ai dorëzoi një inventar të njëanshëm, me zbardhjen e përgjimeve, por jo CD origjinale.
Në datën 8 shkurt 2019, pra 5 muaj pasi u largua, Besim Hajdarmataj dorëzon 57 CD. Pikërisht këtu lind edhe dyshimi, se audio-përgjimet mund të kenë mbërritur në zyrën e Partisë Demokratike, dhe më pas në media./TCH