Nga Luljeta Çipi
I vetetëshpallur si luani i artë i Venecias, në kohën kur deklaronte se nuk i trembej një opinioni të Komisionit të Venecias, Ilir Meta, sot iu fsheh ballafaqimit me të vërtetën që ky komision rikonfirmoi, shkeljen e kushtetës me çdekretimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.
Luani Meta ishte aq i sigurt në trimërinë e tij sa premtoi se do të jepte dorëheqjen në rast se Venecia gjykonte se ai kishte shkelur kushtetutën, por sot, në vend që të mbante fjalën, siç do i kishte hije një presidenti serioz, Meta u fsheh pas çaprazllëkut të një rrogëtari të Presidencës që lexonte për mbrapsht konkluzionet e Venecias.
Por përse Ilir Meta, zgjodhi të heshtë sot dhe të mos vazhdonte qoftë edhe me marrëzinë e një nate më parë, kur përballë Eni Vasilit, e sulmonte Komisionin e Venecias si të përfshirë në një lojë politike duke favorizuar regjime autoritare?
Përse hesht Ilir Meta dhe nuk jep dorëheqjen siç ai e tha me zë dhe figurë, përpara deklaratës së Venecias, që thotë se “presidenti shqiptar nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik dhe se ai ka tejkaluar çdo kompetencë”?
A tregon kjo sjellje e Metës, edhe njëherë faktin se Presidenti ka rënë? Moralisht, po! Institucionalisht gjithashtu! Ka rënë institucionalisht si i vetmi president që edhe kur kapet në shkelje të kushtetutës, nuk mban përgjegjësi, as kur ekspertët ndërkombëtarë ia rikujtojnë. Moralisht, sepse ka nëpërkëmbur figurën e kreut të shtetit, duke vënë mbi unitetin e popullit, njëanshmërinë e tij politike.
Shuplaka e fortë e Venecias për Metës vjen kur në deklaratë shkruhet se “edhe në rastet e emergjencave shtetërore, si lufta apo katastrofat natyrore, Parlamenti duhet të miratojë një legjislacion ‘ad hoc’ për të shtyrë zgjedhjet”.
E kjo mbetet sigurisht plaga që Ilir Metës i dhemb më shumë se kurrë sot. Komisioni i kujtoi Metës se ai nuk mund ta konsiderojë veten, luanin mbret të një shteti që nuk mund të jetë asesi xhungla ku ai dhe të ngjashëm si ai, mund të luajnë sipas oreksit personal.
Në këto kushte, kur Venecia i tha troç se as Presidenca nuk mund të bëhet kopshti zoologjik i trajtimit të opozitës, Ilir Meta ka ngelur thjesht një luan i plagosur që nuk dihet nëse pas kësaj dite, do të hungërijë sërish kundër kushtetueshmërisë.